Çmimi i naftës arrin rreth 200 lekë për litër, shtrenjtim në Tiranë dhe autostradën e Durrësit
Çmimi i naftës në tregun e pakicës në Shqipëri është rritur ndjeshëm, duke arritur deri në 198 lekë për litër në disa pika karburanti.
Rritja është reflektuar në disa pika karburanti në Tiranë dhe përgjatë autostradës Tiranë–Durrës, ku nafta është shtrenjtuar me rreth 16 lekë për litër krahasuar me ditën e premte, kur tregtohej me 182 lekë për litër.
Sipas një vëzhgimi në terren, në disa pika të kompanive “Kastrati”, “Alpet” dhe “Gega” përgjatë autostradës, nafta po shitet me 198 lekë për litër, ndërsa benzina ka arritur në rreth 188 lekë për litër.
Rritje edhe brenda Tiranës
Shtrenjtimi është reflektuar edhe në disa pika karburanti brenda kryeqytetit. Në një nga pikat e kompanisë “Kastrati” pranë zonës së Xhamllikut, nafta po tregtohet me 198 lekë për litër, nga 182 lekë që ishte çmimi i së premtes.
Ndërkohë, në disa pika të kompanisë “Elda” çmimi i naftës ka arritur gjithashtu në 198 lekë për litër, nga 189 lekë që ishte një ditë më parë.
Tregu reflekton rritjen në bursat ndërkombëtare
Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, tregu vendas ka reflektuar rritjen e çmimeve në bursat ndërkombëtare gjatë ditëve të fundit.
Në tregjet globale, çmimi i naftës Brent arriti në rreth 103 dollarë për fuçi gjatë fundjavës, ndërsa më herët të premten ishte rreth 88.9 dollarë për fuçi. Para përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, nafta tregtohej me rreth 65 dollarë për fuçi.
Më vonë, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për ndërprerjen e sulmeve, çmimi në bursat ndërkombëtare zbriti sërish në rreth 90 dollarë për fuçi.
Rritja nisi që në fillim të marsit
Rritja e çmimeve në tregun vendas ka nisur që më 4 mars, kur nafta u shtrenjtua fillimisht nga 175 në 179 lekë për litër. Dy ditë më vonë çmimi u rrit sërish në 182 lekë për litër, ndërsa tani në disa pika ka arritur në rreth 198 lekë për litër.
Çmimi prej 175 lekë për litër kishte mbetur i pandryshuar që nga tetori i vitit 2024.