Secondary Adv

Paga mesatare në vend arrin në gati 84 mijë lekë në 2025, ngadalësohet rritja

Paga mesatare në Shqipëri arriti në rreth 84 mijë lekë gjatë vitit 2025, ndërsa ritmi i rritjes së saj ka shfaqur shenja ngadalësimi.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, paga mesatare mujore në vend u rrit në rreth 84 mijë lekë në vitin 2025, nga 77.4 mijë lekë që ishte një vit më parë. Në terma vjetorë, kjo përfaqëson një rritje prej rreth 8.4 për qind.

 

Megjithatë, ritmi i rritjes është ngadalësuar krahasuar me vitin e kaluar, kur pagat u rritën me rreth 10 për qind.

 

Paga mesatare në fund të vitit

Në tremujorin e katërt të vitit 2025, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë arriti në 86,984 lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, paga mesatare mujore është rritur me 4.3 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025 është rritur me 4.4 për qind.

 

Sektorët me pagat më të larta

Aktivitetet ekonomike me pagat më të larta se mesatarja kombëtare rezultojnë të jenë sektori financiar dhe ai i sigurimeve, ku paga mesatare arrin në rreth 173 mijë lekë.

 

Një tjetër sektor me paga të larta është informacioni dhe komunikacioni, ku paga mesatare arrin në rreth 131 mijë lekë. Ky sektor ka shënuar edhe rritjen më të madhe të pagave gjatë vitit, me rreth 7.9 për qind.

 

Në anën tjetër, rritja më e ulët e pagave është regjistruar në aktivitetet e artit, argëtimit dhe shërbimeve të tjera, me rreth 2.2 për qind.

 

Pagat sipas profesioneve

Profesionet me pagat më të larta në vend janë menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, me një pagë mesatare prej rreth 135 mijë lekësh. Pas tyre renditen specialistët me arsim të lartë, me një pagë mesatare prej rreth 115 mijë lekësh.

 

Rritja më e madhe e pagave sipas profesioneve është regjistruar te Forcat e Armatosura, me rreth 10.6 për qind, ndërsa nëpunësit kanë shënuar një rritje prej rreth 6.2 për qind.

 

Më shumë punonjës me paga të larta

Të dhënat tregojnë gjithashtu një zhvendosje graduale të të punësuarve drejt niveleve më të larta të pagave. Në tremujorin e katërt të vitit 2025, pjesa e punonjësve që fitojnë mbi 120 mijë lekë u rrit në 16.2 për qind, nga 14.1 për qind një vit më parë.

Në të njëjtën kohë, pjesa e të punësuarve që paguhen me pagën minimale ra nga 14.2 për qind në 12.8 për qind.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat