Raporti i kredive me probleme e nisi në rritje vitin 2026
Raporti i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar shënoi një rritje të lehtë në fillim të vitit 2026.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në janar 2026 raporti i kredive me probleme arriti në 3.85 për qind, nga 3.8 për qind që ishte në fund të vitit 2025. Megjithatë, në krahasim me një vit më parë ky tregues mbetet më i ulët, pasi në janar 2025 ishte në nivelin 4.12 për qind.
Stoku i kredive me probleme në fund të muajit janar vlerësohet rreth 36.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e kredisë ndihmoi në uljen e raportit
Gjatë vitit 2025 raporti i kredive me probleme pati luhatje, por në fund të vitit u ul më ndjeshëm, pjesërisht si rezultat i procesit të zakonshëm të fshirjes së kredive të humbura përpara mbylljes së bilanceve vjetore.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në uljen e këtij raporti është rritja e shpejtë e portofolit të kredisë për ekonominë.
Në fund të vitit 2025 portofoli total i kredisë arriti në rreth 943.5 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12.9 për qind. Ky ritëm ishte më i lartë se rritja prej 12.3 për qind e regjistruar një vit më parë.
Shqetësime për cilësinë e portofolit
Megjithatë, zgjerimi i shpejtë i kreditimit në dy vitet e fundit ka rritur shqetësimet për cilësinë e portofolit të kredisë në të ardhmen.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, një përkeqësim i mundshëm i ekonomisë reale apo i aftësisë paguese të huamarrësve mund të ndikojë në rritjen e kredive me probleme.
Këto rreziqe janë shtuar edhe nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, që kanë rritur çmimet e naftës dhe mund të shtojnë presionet inflacioniste në ekonomi.
Masat rregullatore të Bankës së Shqipërisë
Për të kufizuar rreziqet, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa masa rregullatore, duke rritur kërkesat për kapital për bankat tregtare dhe duke vendosur kufizime për administrimin e rrezikut në kreditë për blerjen e banesave.
Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit 2025 këto masa nuk kanë sjellë një frenim të dukshëm të ritmit të kreditimit, veçanërisht për kreditë që financojnë blerjen e pasurive të paluajtshme.