Tatimet u kujtojnë bizneseve se deri në 31 mars 2026 duhet të dorëzojnë pasqyrat financiare
Administrata Tatimore u ka rikujtuar bizneseve se afati për dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin fiskal 2025 përfundon më 31 mars 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë tatimpaguesit që kanë këtë detyrim ligjor duhet të dorëzojnë pasqyrat financiare brenda këtij afati, përndryshe do të përballen me masa administrative dhe penalitete sipas legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore.
Dorëzimi i dokumentacionit realizohet vetëm përmes sistemit elektronik e-Filing, platforma ku bizneset raportojnë të dhënat financiare dhe dokumentet e kërkuara nga Administrata Tatimore.
Kush duhet të dorëzojë pasqyrat financiare
Detyrimi për raportim u përket subjekteve që paguajnë tatim mbi fitimin ose tatim mbi të ardhurat personale nga biznesi, në rastet kur qarkullimi i tyre vjetor kalon pragun prej 5 milionë lekësh.
Ky detyrim zbatohet edhe për organizatat jofitimprurëse, nëse qarkullimi i tyre vjetor tejkalon të njëjtin prag.
Pasqyrat financiare duhet të hartohen në përputhje me ligjin “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, duke reflektuar gjendjen reale të aktivitetit ekonomik të subjektit për vitin ushtrimor 2025.
Dokumentet që duhet të dorëzohen
Sipas procedurave tatimore, së bashku me pasqyrat financiare duhet të dorëzohen edhe dokumente shtesë që lidhen me aktivitetin e biznesit.
Ndër to përfshihet gjendja analitike e inventarit të mallrave për rishitje, lëndës së parë, prodhimit në proces dhe produkteve të gatshme në datën 31 dhjetor 2025, si dhe inventari i mjeteve të transportit në pronësi të subjektit.
Administrata Tatimore ka sqaruar se pasqyrat financiare duhet të dorëzohen në dy formate: në version PDF të skanuar dhe në version Excel.
Dokumentet në format PDF duhet të jenë të nënshkruara dhe të vulosura nga përfaqësuesi ligjor i subjektit ose nga personi përgjegjës për hartimin e tyre, ndërsa raporti i ekspertit të autorizuar dorëzohet vetëm në format PDF.
Thirrje për dorëzim brenda afatit
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje tatimpaguesve që të mos e lënë dorëzimin e pasqyrave financiare për momentin e fundit, për të shmangur vonesat dhe problematikat teknike në sistemin elektronik.