Secondary Adv

481 miliardë lekë në qarkullim jashtë sistemit bankar në Janar 2026

Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar mbetet në nivele të larta, duke reflektuar përdorimin e gjerë të cash-it në ekonomi.

Rënie e lehtë mujore, rritje e fortë vjetore

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në janar 2026 paraja jashtë korporatave depozituese arriti në rreth 481 miliardë lekë. Krahasuar me dhjetorin 2025, kur ky tregues ishte rreth 483 miliardë lekë, vërehet një ulje e lehtë mujore prej rreth 2 miliardë lekësh.

 

Ky zhvillim konsiderohet normal për fillimin e vitit, pasi një pjesë e parasë që qarkullon gjatë periudhës së festave rikthehet në sistemin bankar. Megjithatë, në krahasim me janarin e vitit 2025, kur paraja jashtë bankave ishte rreth 422 miliardë lekë, niveli aktual është rreth 59 miliardë lekë më i lartë, duke treguar një rritje të ndjeshme në terma vjetorë.

 

Përdorimi i lartë i cash-it

Rritja e parasë në qarkullim jashtë bankave lidhet shpesh me zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e konsumit, por njëkohësisht pasqyron edhe preferencën e vazhdueshme të individëve dhe bizneseve për pagesa me para fizike.

 

Kultura e pagesave cash, normat jo shumë tërheqëse të interesit për depozitat, mungesa e terminaleve POS në shumë pika shitjeje për shkak të komisioneve bankare, si dhe niveli i lartë i informalitetit janë disa nga faktorët që nxisin mbajtjen e parasë jashtë bankave.

Në këtë panoramë përfshihet edhe paraja që qarkullon nga burime të paligjshme, e cila zakonisht mbetet jashtë kanaleve formale financiare.

 

Përpjekjet për të reduktuar ekonominë cash

Autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë disa masa për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike dhe për të reduktuar varësinë nga paraja fizike. Këto përfshijnë uljen e komisioneve bankare, promovimin e edukimit financiar, vendosjen e kufijve për pagesat cash mes individëve dhe bizneseve, si dhe masa për reduktimin e informalitetit.

 

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, të dhënat tregojnë se rruga drejt një ekonomie më pak të varur nga cash-i mbetet ende e gjatë.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat