Secondary Adv

Inflacioni në Kosovë arrin 6 për qind, rriten çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve

Agjencia e Statistikave të Kosovës raporton inflacion vjetor 6 për qind në shkurt 2026, me rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve.

Çmimet rriten me 6 për qind në një vit

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit në Kosovë kanë vazhduar të rriten, duke shtuar presionin mbi buxhetin e familjeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në muajin shkurt 2026 arriti në 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në planin mujor, krahasuar me janarin e këtij viti, çmimet janë rritur mesatarisht me 0.6 për qind. Rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës po ndikon në shumë kategori të përditshme, nga ushqimet dhe shërbimet deri te transporti dhe mirëmbajtja e shtëpisë.

 

Shërbimet dhe transporti me rritjet më të mëdha

Sipas të dhënave statistikore, rritjet më të mëdha janë regjistruar te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit, të cilat janë shtrenjtuar me 42.5 për qind. Një rritje e ndjeshme është vërejtur edhe te biletat e fluturimeve, që janë rritur me 39 për qind, ndërsa furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me banesën janë shtrenjtuar me 33.4 për qind.

 

Rritje janë regjistruar gjithashtu te shërbimet hoteliere me 9.5 për qind, shërbimet ambulatore me 9.6 për qind dhe shërbimet e kujdesit personal me 6.6 për qind.

 

Ushqimet bazë gjithnjë e më të shtrenjta

Edhe produktet ushqimore kanë pësuar rritje të ndjeshme. Çmimi i mishit është rritur me 14.7 për qind, pemët me 16.4 për qind dhe perimet me 6.4 për qind. Rritje janë shënuar gjithashtu te kafeja, çaji dhe kakao me 9.3 për qind, si dhe te sheqeri, reçeli, mjalti dhe ëmbëlsirat me 7.4 për qind.

 

Qumështi, djathi dhe vezët janë shtrenjtuar me 5.6 për qind, ndërsa buka dhe drithërat me 5.2 për qind.

 

Pak ulje në disa kategori

Pavarësisht trendit të përgjithshëm rritës, në disa kategori është vërejtur edhe rënie e çmimeve. Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal kanë rënë me 7.6 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

 

Në nivel mujor, biletat e fluturimeve kanë rënë me 18.2 për qind, energjia elektrike me 4.3 për qind dhe qumështi, djathi dhe vezët me 2.8 për qind. Megjithatë, trendi i përgjithshëm mbetet rritës, pasi shumica e produkteve bazë dhe shërbimeve vazhdojnë të shtrenjtohen, duke rritur presionin mbi koston e jetesës për qytetarët.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat