Task-Forcë për karburantet, Malaj: Nën vëzhgim rritja e çmimeve, hapat që do ndiqen
Ministria e Financave ngre një Task-Forcë të përbashkët mes Tatimeve dhe Doganave për të monitoruar tregun e hidrokarbureve dhe për të shmangur rritjet abuzive të çmimeve.

Plan operacional për kontrollin e tregut të karburanteve
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave do të krijojnë një Task-Forcë të përbashkët për të monitoruar sektorin e hidrokarbureve dhe për të parandaluar rritjet abuzive të çmimeve në treg. Vendimi u mor gjatë një takimi të zhvilluar nga ministri i Financave, Petrit Malaj, me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja.
Sipas planit operacional të dakordësuar mes institucioneve, kontrollet do të fokusohen si në tregtimin me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë të karburanteve, me synim rritjen e efikasitetit tatimor dhe doganor dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve.
Kontrolle fizike dhe analizë risku për operatorët
Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se ngritja e këtij grupi operacional lidhet edhe me zhvillimet e fundit ndërkombëtare që kanë ndikuar në tregjet e energjisë dhe në çmimet e hidrokarbureve.
“Kemi marrë shkas për ngritjen e këtij grupi operacional nisur edhe nga konflikti më i fundit midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, konflikt që ka ndikuar në çmimet e hidrokarbureve. Çmimet do të jenë në monitorim nga këto dy institucione, në mënyrë që të mos kemi rritje abuzive të tyre në sektorin e tregtimit të hidrokarbureve me shumicë apo dhe me pakicë.
Sot kemi dakordësuar se cilat do të jenë hapat që do të ndiqen nga këto dy institucione, duke filluar që nga vlerësimi me risk i operatorëve që operojnë në këtë sektor, por nga ana tjetër edhe duke marrë informacione nga tregu për sa i përket abuzimeve potenciale që mund të ndodhin. Kontrolli do të fokusohet jo vetëm në kontrollin e dokumentacionit doganor apo tatimor, por edhe në kontrollin fizik të sasive të hidrokarbureve që tregtohen nga pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë”, u shpreh Malaj.
Kontrollet do të shtrihen në gjithë vendin
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit dhe do të bazohen në subjektet e identifikuara me risk. Për këtë qëllim do të krijohen grupe të përbashkëta kontrolli mes Doganave dhe Tatimeve.
Qëllimi i operacionit është të garantojë që aktiviteti i subjekteve të zhvillohet në përputhje me ligjin, çdo shitje të regjistrohet fiskalisht dhe karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.
Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, theksoi se institucionet kanë nisur analizën e riskut dhe kanë koordinuar hapat e planit operacional. Sipas tij, eksperienca nga operacionet e mëparshme ka ndihmuar në identifikimin e problematikave konkrete në këtë sektor, ndërsa operacioni do të shtrihet në një periudhë më të gjatë për të rritur formalizimin dhe për të garantuar funksionimin normal të tregut të hidrokarbureve.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)