Shoqata e Transportit Qytetas kërkon kompensim për rritjen e çmimit të naftës
Operatorët e transportit publik i kërkojnë qeverisë kompensim për shtrenjtimin e karburantit, duke paralajmëruar reduktim të shërbimit nëse kostot vijojnë të rriten.
Letër institucioneve për rritjen e kostove
Rritja e çmimit të naftës gjatë javës së fundit, e lidhur me tensionet dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, po reflektohet drejtpërdrejt në kostot e operatorëve privatë të transportit publik. Në një letër zyrtare drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe bashkive, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon ndërhyrjen e institucioneve për të kompensuar shtrenjtimin e karburantit.
Sipas operatorëve, rritja e çmimit të naftës ka qenë shumë e shpejtë dhe e ndjeshme, duke rritur ndjeshëm kostot e operimit për transportin urban dhe interurban.
Nafta u rrit me deri 45–50 lekë për litër
Shoqata thekson se deri më 27 shkurt çmimi i furnizimit me naftë për operatorët e transportit ishte rreth 142 deri në 145 lekë për litër me TVSH. Aktualisht operatorët po furnizohen me çmim rreth 187 lekë për litër, që do të thotë një rritje prej 42 deri në 45 lekë për litër brenda një jave.
Duke qenë se operatorët furnizohen disa herë në muaj për të përballuar aktivitetin e përditshëm të transportit, kjo rritje përkthehet në një shtim të konsiderueshëm të kostove mujore dhe vjetore të operimit.
Kërkohet subvencionim i karburantit
Në letrën drejtuar institucioneve, Shoqata e Transportit Qytetas kërkon vlerësimin e situatës dhe shqyrtimin e mundësisë për vendosjen e mekanizmave kompensues ose subvencionues për karburantin e përdorur nga operatorët e transportit publik.
Sipas operatorëve, transporti publik është një shërbim me interes të lartë publik dhe një element kyç për funksionimin e jetës urbane dhe ndërurbane. Nëse kostot vijojnë të rriten pa mbështetje nga shteti, kompanitë paralajmërojnë se mund të detyrohen të reduktojnë numrin e autobusëve në qarkullim.
Precedenti i subvencioneve në vitin 2022
Operatorët kujtojnë se një skemë e ngjashme mbështetjeje është aplikuar edhe në vitin 2022, pas rritjes së çmimeve të karburantit për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Në atë periudhë qeveria vendosi rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e përdorur nga kompanitë e transportit publik për muajt gusht, shtator dhe tetor.
Kjo ishte pjesë e paketës antikrizë të qeverisë për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe karburanteve. Megjithatë, sipas operatorëve, edhe atëherë pati periudha kur transporti urban u përball me rritje të kostove pa mbështetje financiare.