Agjencia për Energjinë propozon ndërhyrje historike për të ulur çmimet e naftës
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë po shqyrton një ndërhyrje të paprecedentë në treg për të stabilizuar çmimet e naftës pas përshkallëzimit të konfliktit në Iran.
Propozim për lirimin e rezervave strategjike
Kriza e shkaktuar nga tensionet dhe konflikti në Iran mund të çojë në ndërhyrjen më të madhe të rezervave strategjike të naftës në histori. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë (IEA) ka propozuar hedhjen në treg të rreth 400 milionë fuçive naftë, me qëllim frenimin e rritjes së çmimeve të naftës bruto që janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit në rajon.
Lajmi është raportuar nga Wall Street Journal, sipas të cilit masa është diskutuar gjatë një mbledhjeje urgjente të zyrtarëve të energjisë nga 32 vendet anëtare të agjencisë.
Ndërhyrja më e madhe në historinë e tregut
Sasia e propozuar prej 400 milionë fuçish është më shumë se dyfishi i ndërhyrjes së realizuar në vitin 2022, kur vendet anëtare të IEA liruan rreth 182 milionë fuçi nga rezervat strategjike pas pushtimit rus të Ukrainës.
Sipas raportimeve, vendimi përfundimtar pritet të merret së shpejti dhe do të miratohet nëse asnjë nga vendet anëtare nuk kundërshton planin e propozuar.
Gjermania shqyrton rregulla të reja për çmimet e karburantit
Në të njëjtën kohë, disa vende europiane po shqyrtojnë masa të reja për të kufizuar luhatjet e çmimeve të karburantit në tregun e brendshëm. Gjermania po konsideron vendosjen e një rregulli të ri që do të kufizonte ndryshimet e shpeshta të çmimeve në pikat e furnizimit.
Ministrja gjermane e Ekonomisë dhe Energjisë, Katherina Reiche, deklaroi në Berlin se qeveria federale po shqyrton një model sipas të cilit stacionet e karburantit do të lejohen të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë.
Sipas saj, kjo masë synon të vendosë më shumë kontroll mbi luhatjet e shpeshta të çmimeve gjatë ditës në pompat e karburantit dhe të rrisë transparencën për konsumatorët.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se nëse rregullorja e re miratohet, modeli i ri pritet të zbatohet sa më shpejt në tregun e karburanteve.