Secondary Adv

Rregulla të reja për Llotarinë Amerikane: Pasaporta e detyrueshme, shtohet tarifë aplikimi

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar rregulla të reja për programin Diversity Visa, që synojnë të luftojnë mashtrimet dhe aplikimet e dyfishta.

Rregullat e reja hyjnë në fuqi në prill 2026

Programi i njohur i Llotarisë Amerikane do të pësojë ndryshime të rëndësishme duke nisur nga aplikimet për DV-2027. Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka publikuar një rregull të ri në Federal Register që synon të forcojë kontrollin ndaj mashtrimeve dhe aplikimeve të rreme në programin Diversity Visa.

 

Sipas njoftimit zyrtar, rregulli i ri hyn në fuqi më 10 prill 2026, rreth 30 ditë pas publikimit, dhe pritet të zbatohet për aplikimet e programit DV-2027.

 

Pasaporta bëhet detyrim për aplikim

Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me detyrimin për të pasur një pasaportë të vlefshme gjatë aplikimit. Aplikantët do të duhet të vendosin të dhënat e pasaportës dhe të ngarkojnë online një skanim të faqes biografike dhe të faqes së nënshkrimit të dokumentit.

 

Skanimi duhet të jetë në format JPEG dhe me madhësi maksimale deri në 5 MB. Në rast se pasaporta është e skaduar ose dokumenti nuk ngarkohet gjatë aplikimit, kërkesa do të refuzohet automatikisht nga sistemi.

 

Tarifë simbolike për aplikim

Një tjetër risi është vendosja e një tarife simbolike prej rreth 1 dollar për çdo aplikim. Autoritetet amerikane theksojnë se kjo masë synon të ulë aplikimet masive dhe abuzimet me sistemin e aplikimit.

 

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, çdo vit identifikohen miliona aplikime mashtruese ose të dyfishta, shpesh të kryera nga palë të treta pa dijeninë e aplikantëve. Vetëm në një nga programet e fundit janë zbuluar rreth 2.5 milion aplikime të dyfishta.

 

Masa për të luftuar mashtrimet

Autoritetet amerikane vlerësojnë se kërkesa për pasaportë dhe verifikim të dokumenteve do të ndihmojë në identifikimin më të saktë të aplikantëve, në reduktimin e aplikimeve të dyfishta dhe në luftimin e mashtrimeve të kryera nga agjenci ose rrjete kriminale.

 

Për personat që planifikojnë të aplikojnë për DV-2027 rekomandohet të kenë një pasaportë të vlefshme, të përgatisin paraprakisht skanimin e dokumentit dhe të aplikojnë vetëm një herë, pasi aplikimet e dyfishta çojnë në skualifikim automatik.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat