Pagesat e bonusit të bebes ranë me 32.6 për qind në vitin 2025, skema ende nuk është rishikuar
Rënia e lindjeve në Shqipëri po reflektohet edhe në uljen e pagesave të bonusit të bebes, ndërsa skema e re e mbështetjes për familjet ende nuk është miratuar.
Sipas të dhënave të Shërbimit Social Shtetëror, gjatë vitit 2025 u shpërndanë 4,671 çeqe për bonusin e bebes me një fond total prej rreth 1.48 miliardë lekësh.
Krahasuar me vitin 2024, kur u shpërndanë 6,565 çeqe me një fond prej 2.2 miliardë lekësh, rezulton se janë dhënë 1,894 çeqe më pak, ose rreth 28.9 për qind më pak bonuse. Ndërkohë fondi total i përdorur për këtë program ka rënë me 717.6 milionë lekë, ose 32.6 për qind.
Skema e re ende pa vendim zyrtar
Qeveria ka paralajmëruar ndryshimin e formulës së mbështetjes financiare për familjet, por deri më tani skema e re e bonusit të bebes nuk është miratuar dhe nuk ka nisur të zbatohet.
Propozimi u prezantua gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, kur u deklarua se mbështetja financiare nuk do të jepej më si pagesë e vetme pas lindjes, por në formën e ndihmës mujore për disa vite.
Mbështetje mujore deri në moshën 5 vjeç
Sipas planit të propozuar, mbështetja financiare do të jepej çdo muaj deri në moshën 5 vjeç të fëmijës dhe do të diferencohej sipas numrit të fëmijëve në familje.
Për fëmijën e parë pagesa mujore do të ishte rreth 5 mijë lekë, për të dytin 7 mijë lekë dhe për të tretin e në vijim 10 mijë lekë në muaj.
Kjo skemë do të përfaqësonte një mbështetje më të lartë financiare krahasuar me modelin aktual, që parashikon një pagesë të vetme në momentin e lindjes.
Ende pa detaje për zbatimin
Megjithatë, deri tani nuk ka një vendim zyrtar të Këshillit të Ministrave që të formalizojë këtë ndryshim.
Po ashtu mungojnë detajet për kriteret e përfitimit, mënyrën e aplikimit, burimin e financimit dhe ndikimin që skema e re mund të ketë në buxhetin e shtetit.