Secondary Adv

Bastet sportive on-line, rregulla të reja për sigurinë dhe monitorimin e platformave

Qeveria ka miratuar standarde të reja teknike dhe rregulla të detajuara për funksionimin, sigurinë dhe monitorimin e platformave të basteve sportive on-line në Shqipëri.

Vendimi i ri përcakton kuadrin e funksionimit për sistemet e basteve sportive në internet, duke vendosur kërkesa të qarta për mënyrën e operimit të platformave, sigurinë e të dhënave, kontrollin e transaksioneve dhe mbrojtjen e lojtarëve.

 

Rregullat e reja përcaktojnë kushtet minimale që duhet të plotësojnë sistemet, faqet e internetit dhe aplikacionet e basteve të subjekteve të licencuara. Në to përfshihen standardet për komponentët hardëare dhe softëare, procedurat e regjistrimit të përdoruesve, mënyrat e pagesës dhe faturimit, si dhe mekanizmat e kontrollit nga institucionet mbikëqyrëse.

 

Identifikim i detyrueshëm për çdo lojtar

Një nga elementët kryesorë të vendimit lidhet me identifikimin dhe regjistrimin e përdoruesve. Sistemi duhet të garantojë një procedurë të thjeshtë por të sigurt për krijimin e llogarive, duke kërkuar të dhëna të plota identifikimi si emri, mbiemri, datëlindja, adresa, dokumenti i identifikimit i skanuar, adresa e e-mailit dhe numri i telefonit.

 

Sipas rregullave të reja, çdo përdorues mund të ketë vetëm një llogari aktive për identitet të verifikuar. Çdo përpjekje për hapjen e llogarive të shumëfishta duhet të sinjalizohet automatikisht në Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO), që administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

 

Monitorim në kohë reale i çdo transaksioni

Platformave të basteve u kërkohet të jenë të integruara plotësisht me sistemin qendror të monitorimit, duke transmetuar në kohë reale të dhënat për bastet e vendosura, pagesat, fitimet, faturat dhe çdo transaksion të kryer në platformë.

 

Sistemi duhet të garantojë që të dhënat e regjistruara të jenë të verifikueshme dhe të mos mund të manipulohen apo ndryshohen pas regjistrimit. Platforma duhet gjithashtu të shkëmbejë të dhëna me institucionet financiare dhe agjentët e pagesave të licencuar për kryerjen e transaksioneve vetëm përmes kanaleve bankare të miratuara, si dhe me administratën tatimore dhe doganore për raportimin automatik të taksave.

 

Standardet për sigurinë e sistemeve

Vendimi vendos kërkesa të detajuara për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë e sistemeve. Komunikimi ndërmjet platformës dhe bazave të të dhënave duhet të realizohet përmes kanaleve të enkriptuara, ndërsa të dhënat sensitive si fjalëkalimet, identiteti i përdoruesve, kartat bankare dhe historiku i basteve duhet të ruhen në mënyrë të sigurt në servera dhe jo në pajisjet lokale të përdoruesve.

 

Platforma duhet të ketë gjithashtu mekanizma mbrojtës kundër sulmeve kibernetike dhe sisteme rezervë për të garantuar funksionimin edhe në rast ndërprerjesh teknike ose emergjencash.

 

Platforma të aksesueshme 24 orë

Sipas vendimit, sistemet duhet të jenë të aksesueshme 24 orë në ditë përmes faqeve të internetit dhe aplikacioneve mobile, të përshtatura për pajisje dhe sisteme të ndryshme operative.

 

Koha e ngarkimit të faqes nuk duhet të kalojë tre sekonda në rrjetet 4G, ndërsa infrastruktura teknike duhet të garantojë kohë përgjigjeje nën 200 milisekonda për çdo transaksion dhe një nivel funksionimi të vazhdueshëm prej të paktën 99.9 për qind.

 

Masa për lojën e përgjegjshme

Vendimi parashikon edhe masa për mbrojtjen e lojtarëve dhe promovimin e lojës së përgjegjshme. Platforma duhet t’u japë përdoruesve mundësinë për të vendosur kufij mbi shumën që mund të depozitojnë, të luajnë ose të humbasin brenda një periudhe të caktuar.

 

Lojtarët duhet të kenë gjithashtu mundësinë për vetëpërjashtim nga loja për një periudhë të caktuar ose të pacaktuar. Sistemi nuk duhet të pranojë baste që tejkalojnë kufijtë e vendosur nga vetë përdoruesi dhe duhet të përjashtojë nga komunikimet promocionale ata që kanë zgjedhur vetëpërjashtimin.

 

Nga ana teknike, infrastruktura hardëare dhe qendrat e të dhënave duhet të jenë të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare ISO dhe të kenë kontrolle të rrepta fizike të aksesit, përfshirë përdorimin e kartave biometrike, kamerave të sigurisë dhe regjistrimin e hyrje-daljeve.

 

Çdo lloj basti që ofrohet në platformë duhet të dokumentohet dhe të miratohet paraprakisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit përpara se të bëhet i disponueshëm për lojtarët.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat