Mazhoranca rrëzon kërkesën e SPAK për Ballukun, protestë jashtë Kuvendit
Me 82 vota kundër, Kuvendi rrëzoi me votat e mazhorancës kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku me qëllim arrestimin e saj.
Me 82 vota kundër, Kuvendi rrëzoi me votat e mazhorancës kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku me qëllim arrestimin e saj. Në votim u regjistruan gjithashtu 47 vota pro dhe asnjë abstenim.
SPAK kishte kërkuar autorizimin e Kuvendit për të vijuar procedurat ligjore dhe për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj deputetes, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshime për shpërdorim detyre dhe shkelje në procedurat e dhënies së disa kontratave publike.
Para votimit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike paraqitën dy raporte të ndara lidhur me çështjen. Seanca kaloi direkt në votim, pasi deputetët e PD bllokuan foltoren e Kuvendit dhe nuk lejuan zhvillimin normal të debatit.
Pas vendimit të Kuvendit, protestues të Partisë Demokratike të mbledhur jashtë godinës nisën përplasje me forcat e policisë, të cilat kishin rrethuar Kuvendin për të garantuar sigurinë dhe rendin gjatë seancës.