Investimet në ujësjellës-kanalizime kaluan 150 milionë euro në 2025
Investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri tejkaluan 150 milionë euro gjatë vitit 2025, duke realizuar 102 për qind të planit vjetor.
Sipas raportit të Entit Rregullator të Ujit (ERRU), për vitin 2025 ishin planifikuar investime prej 14.46 miliardë lekësh, ndërsa disbursimet arritën në rreth 14.76 miliardë lekë.
Shumica e fondeve nga buxheti i shtetit
Pjesa më e madhe e financimit erdhi nga qeveria shqiptare. Nga totali i investimeve, rreth 11.66 miliardë lekë ose 79 për qind u financuan nga buxheti i shtetit, ndërsa 3.1 miliardë lekë, ose rreth 21 për qind, u mbuluan nga donatorët e huaj.
Investimet janë realizuar kryesisht përmes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe janë përqendruar në ndërtimin dhe rehabilitimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, si dhe në projektim dhe mbikëqyrje të projekteve infrastrukturore.
Rreth 290 projekte infrastrukturore
Portofoli i projekteve të raportuara për periudhën 2019–2025 përfshin rreth 290 investime infrastrukturore me një vlerë kontratash prej rreth 39.3 miliardë lekësh.
Deri tani realizimi financiar kumulativ i këtyre projekteve ka arritur në rreth 25.5 miliardë lekë.
Prioritet furnizimi me ujë të pijshëm
Sipas analizës së ERRU, rreth 71 për qind e projekteve, ose 206 investime, lidhen drejtpërdrejt me furnizimin me ujë të pijshëm.
Në aspekt financiar, këto projekte përfaqësojnë më shumë se 66 për qind të vlerës totale të kontratave, duke reflektuar prioritetin për përmirësimin e aksesit në ujë dhe modernizimin e infrastrukturës.
Sfida për qëndrueshmërinë financiare
Megjithatë, raporti thekson se përmirësimi i treguesve financiarë të shoqërive të ujësjellësve mbetet i pabarabartë.
Sipas ERRU, investimet infrastrukturore nuk janë të mjaftueshme për vetëqëndrueshmërinë financiare të sektorit nëse nuk shoqërohen me reforma në menaxhim, rritje të eficiencës operative dhe përmirësim të strukturës tarifore.
Raporti evidenton gjithashtu një balancë të kufizuar mes investimeve për furnizimin me ujë dhe atyre për kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura, si dhe një fragmentim territorial të projekteve.