Secondary Adv

Pensionet e reja, përcaktohen koeficientët e indeksimit mbi bazën

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka miratuar koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar për vitin 2024, që do të përdoren për llogaritjen e pensioneve të reja nga 1 janari 2026.

Vendimi u miratua nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), i drejtuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe pritet të dërgohet për miratim edhe në Këshillin e Ministrave.

 

Rivlerësohet baza e pagës për pensionet

Vendimi përcakton koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2024, të cilët përdoren për të rivlerësuar pagën mesatare mbi të cilën llogaritet shuma mujore fillestare e pensionit.

 

Kjo ndërhyrje synon që pensionet e reja të reflektojnë më mirë kontributet e derdhura gjatë viteve të punës dhe të sigurojnë trajtim të barabartë për të gjithë aplikantët.

 

Rreth 40 mijë përfitues nga viti 2026

Sipas ISSH, koeficientët e rinj të indeksimit do të ndikojnë në rritjen e bazës së vlerësuar për rreth 40 mijë qytetarë që pritet të aplikojnë për pension pas datës 1 janar 2026. Rivlerësimi i bazës synon që pensionet fillestare të jenë më të harmonizuara me kontributet e paguara gjatë periudhës së sigurimeve shoqërore.

 

Si llogaritet pensioni fillestar

Formula aktuale e llogaritjes së pensionit, e përcaktuar pas reformës së vitit 2014, përfshin një pension bazë dhe një shtesë që lidhet me vitet e sigurimit. Pensioni bazë është rreth 9,800 lekë, ndërsa mbi këtë shumë shtohet një përqindje prej 1 për qind për çdo vit sigurimi, e shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar.

 

Sistemi synon që përfitimi final të jetë në përputhje me kontributet e paguara gjatë viteve të punës dhe të garantojë një llogaritje më të drejtë të pensioneve.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat