Secondary Adv

Pas Porto Romanos, anulohen edhe tri tenderat për stadiumet, nuk u paraqit asnjë investitor

Korporata e Investimeve Shqiptare ka anuluar procedurat për ndërtimin e stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë, pasi nuk u paraqit asnjë investitor i interesuar.

Njoftimet zyrtare tregojnë se procedurat për përzgjedhjen e partnerëve privatë për projektet u anuluan për shkak të mungesës së ofertave në datën dhe orën e caktuar për dorëzimin e aplikimeve. Thirrjet për këto projekte u hapën në korrik të vitit 2025, ndërsa afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave ishte 30 shtatori i po atij viti.

 

Stadiume të reja në tri qytete

Projektet synonin ndërtimin e stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë, përkatësisht stadiumet “Niko Dovana”, “Flamurtari” dhe “Skënderbeu”.

Plani u prezantua si një transformim urban për këto qytete, ku stadiumet do të shoqëroheshin me komplekse të mëdha urbane që përfshinin kulla banimi, hotele, hapësira tregtare dhe parqe publike.

 

Modeli ekonomik ishte i ngjashëm me atë të stadiumit “Air Albania” në Tiranë, ku shteti ofron tokën dhe të drejtat zhvillimore, ndërsa investitori privat financon ndërtimin e stadiumit dhe përfiton nga zhvillimet imobiliare përreth.

 

Interes zero nga investitorët

Dokumentet e publikuara nga Korporata e Investimeve Shqiptare tregojnë se për asnjë nga tri projektet nuk u paraqit asnjë ofertë. Kjo do të thotë se tri nga projektet më të rëndësishme të prezantuara në fushën e infrastrukturës sportive nuk arritën të tërheqin interesin e tregut.

 

Sfida financiare për modelin e stadiumeve

Sipas analizave të tregut, ndërtimi i një stadiumi modern kërkon investime prej dhjetëra milionë eurosh, ndërsa vetë stadiumi nuk gjeneron të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar projektin.

 

Rikuperimi i investimit pritet të vijë kryesisht nga zhvillimet imobiliare përreth, por në qytete si Durrësi, Vlora apo Korça tregu i pasurive të paluajtshme ka kapacitet më të kufizuar për të përthithur projekte të mëdha.

Për investitorët privatë, kjo e rrit ndjeshëm nivelin e rrezikut financiar, sidomos në mungesë të garancive shtetërore apo bashkëfinancimit publik.

 

Projektet mbeten në fazë koncepti

Për këto stadiume u organizua edhe një konkurs ndërkombëtar arkitekture, ku projekte u prezantuan nga studio të njohura ndërkombëtare. Megjithatë, pavarësisht prezantimeve arkitekturore dhe planeve për zhvillime urbane të mëdha, projektet mbeten në fazë konceptuale pa një investitor që të marrë përsipër ndërtimin.

 

Mundësi për rihapjen e thirrjeve

Pas anulimit të procedurave, pritet që thirrjet për investitorë të rihapen në të ardhmen, ndoshta me kushte të reja financiare ose me ndryshime në modelin e zhvillimit.

 

Në muajt e fundit, Korporata e Investimeve Shqiptare ka prezantuar disa projekte zhvillimore edhe në panaire ndërkombëtare të investimeve, në përpjekje për të tërhequr interes nga investitorët e huaj.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat