Dita e Verës, Policia e Elbasanit harton planin e masave: Kufizimi i qarkullimit fillon që sot
Policia e Elbasanit ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e festimeve të Ditës së Verës, duke parashikuar kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi në disa zona të qytetit.
Sipas autoriteteve, kufizimi i qarkullimit do të nisë nga data 13 mars dhe do të zgjasë për 48 orë, ndërsa segmenti rrugor nga “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit” do të jetë i bllokuar për automjetet.
Ndalim parkimi në qendër të qytetit
Gjatë kësaj periudhe do të ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”. Shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë të pranishme për orientimin e qytetarëve dhe për devijimin e trafikut. Masat synojnë të shmangin trafikun dhe të garantojnë zhvillimin e sigurt të aktiviteteve që organizohen në qytet në kuadër të festimeve.
Hapësirat e parkimit për vizitorët
Për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt hapësirave të përcaktuara të parkimit sipas drejtimeve nga vijnë në qytet.
Mjetet që vijnë nga lindja, në zonën e Urës së Bakallit, do të parkohen te Parku i Mallrave. Automjetet që hyjnë nga jugu, në drejtim të Kryqëzimit të Cërrikut, do të parkohen te Shkolla e Formimit Profesional dhe në parkimin e ri pranë varrezave publike.
Ndërsa mjetet që vijnë nga perëndimi, në zonën e Kryqëzimit të Luleve, do të parkohen te shkolla profesionale “Sali Ceka”, pranë Doganës, si dhe në parkimin pranë stacionit të trenit.
Ndryshime edhe për transportin publik
Policia ka njoftuar gjithashtu ndryshime të përkohshme për transportin publik gjatë festimeve.
Autobusët e linjës “Tiranë – Elbasan” do të stacionohen pranë Doganës, në afërsi të shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës “Elbasan – Cërrik” do të stacionohen tek ish-ofiçina në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial.