Mikro-bizneset dominojnë ekonominë, 94 për qind e ndërmarrjeve kanë më pak se 10 të punësuar
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, duke dominuar pothuajse plotësisht strukturën e biznesit, punësimit dhe krijimit të vlerës së shtuar në vend.

Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT në raportin “Statistika mbi Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2024” tregojnë se pesha e tyre në ekonomi mbetet jashtëzakonisht e lartë dhe dukshëm më e madhe se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Sipas raportit, në vitin 2024 rreth 99.9% e ndërmarrjeve aktive në Shqipëri janë NVM, ndërsa këto biznese punësojnë 82% të të gjithë të punësuarve në ekonomi. Gjithashtu, ato realizojnë 81.4% të shitjeve neto, kryejnë 75% të investimeve dhe gjenerojnë 78.1% të vlerës së shtuar në ekonominë shqiptare.
Në total, në vend rezultojnë 119,870 ndërmarrje aktive, nga të cilat 119,696 janë NVM, ndërsa vetëm 174 klasifikohen si ndërmarrje të mëdha. Nga këto biznese, rreth 551 mijë persona janë të punësuar, ku pjesa dërrmuese punon në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Struktura e biznesit shqiptar karakterizohet nga një dominim i fortë i mikrondërmarrjeve. Sipas raportit të INSTAT, 93.8% e të gjitha ndërmarrjeve janë mikrondërmarrje me 1–9 të punësuar, duke reflektuar një ekonomi të fragmentuar dhe me një bazë të gjerë biznesesh shumë të vogla.
Këto mikrondërmarrje punësojnë 37.8% të të gjithë të punësuarve dhe realizojnë 26% të shitjeve neto në ekonomi. Ndërkohë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë një rol të rëndësishëm në gjenerimin e shitjeve dhe investimeve, duke kontribuar respektivisht 28.6% dhe 26.8% të shitjeve neto.
Një nga gjetjet më interesante të raportit është diferenca e madhe mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në peshën e NVM-ve në ekonomi.
Në Shqipëri, 82% e punësimit gjenerohet nga NVM-të, ndërsa në Bashkimin Evropian kjo shifër është 65.1%. Po ashtu, NVM-të në Shqipëri krijojnë 78.1% të vlerës së shtuar në ekonomi, ndërkohë që në BE kjo peshë është vetëm 53.6%.
Ky dallim tregon se ekonomia shqiptare mbështetet shumë më tepër te bizneset e vogla dhe të mesme, ndërsa roli i ndërmarrjeve të mëdha mbetet relativisht i kufizuar.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një nivel të ulët të ndërkombëtarizimit të biznesit shqiptar. Vetëm 3.1% e NVM-ve janë ndërmarrje eksportuese, ndërsa 11.9% janë ndërmarrje importuese, çka tregon se shumica e tyre operojnë kryesisht në tregun e brendshëm.
Ky fakt sugjeron se potenciali për rritjen e eksporteve dhe integrimin e bizneseve shqiptare në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës mbetet ende i pashfrytëzuar.
Sipas sektorëve ekonomikë, struktura e NVM-ve paraqet disa karakteristika të veçanta. Mikrondërmarrjet kanë peshë të madhe në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, duke reflektuar rolin e madh të turizmit dhe aktiviteteve të vogla familjare. Ndërmarrjet e vogla janë më të përqendruara në ndërtim, ndërsa ndërmarrjet e mesme kanë peshën më të madhe në industrinë përpunuese.
Në aspektin e shitjeve neto, mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ndërsa ndërmarrjet e vogla dominojnë në tregti dhe ndërmarrjet e mesme në industrinë përpunuese.
Treguesit e publikuar nga INSTAT konfirmojnë se ekonomia shqiptare mbetet e ndërtuar mbi një bazë shumë të gjerë biznesesh të vogla dhe mikro. Kjo strukturë krijon fleksibilitet dhe kapacitet për vetëpunësim, por njëkohësisht sinjalizon edhe sfida për rritjen e produktivitetit, formalizimin dhe rritjen e kapacitetit eksportues të ekonomisë.
Në këtë kontekst, politikat për mbështetjen e NVM-ve, rritjen e aksesit në financim, teknologji dhe tregje ndërkombëtare mbeten një nga faktorët kyç për transformimin e strukturës ekonomike të vendit në vitet e ardhshme.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)