Secondary Adv

Huamarrja e brendshme e qeverisë do të ulet më tej në tremujorin e dytë

Qeveria shqiptarë ka planifikuar të marrë hua 95 miliardë lekë në tregun e brendshëm financiar gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma planifikuar e huamarrjes do të ulet me 5% krahasuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Gjithashtu, huamarrja e brendshme pritet të jetë më e ulët krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, me rreth 29% më pak.

 

Shuma e përgjithshme e huasë përfshin huamarrjen e re dhe rifinancimin e instrumenteve të maturuara gjatë periudhës.

 

Kërkesa më e pakët e qeverisë për huamarrje krahasuar pritet të mbajë të kufizuara presionet për rritjen e yield-eve në tregun e brendshëm financiar, në mungesë të faktorëve të tjerë.

 

Edhe në tremujorin e parë të vitit, yield-et kanë vijuar tendencën rënëse që i kishte karakterizuar gjatë vitit të kaluar.

 

Yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore në ankandin e mesit të muajit mars ishte në nivelin 2.45%. Gjatë gjithë tremujorit të parë të vitit, yield-i i këtyre instrumenteve ka qëndruar poshtë nivelit të normës bazë të interesit. Ndërkohë, edhe yield-et e titujve afatgjatë kanë rënë pranë niveleve më të ulëta historike.

 

Tregu në përgjithësi po karakterizohet nga likuiditet i bollshëm dhe kërkesë e lartë nga investitorët. Kjo kërkesë po i shtyn akoma më shumë në ulje yield-et e titujve dhe po ul çmimin e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm financiar. Rritja me ritme të larta e ofertës monetare dhe depozitave bankare e ka zgjeruar likuiditetin në tregun financiar.

 

Gjithashtu, ulja e borxhit publik dhe përmirësimi i vlerësimit të borxhit sovran të vendit ka ulur primet e rrezikut të perceptuar nga investitorët. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, borxhi publik total në fund të vitit 2025 ishte sa 53.04% e PBB-së, nga 54.21% që kishte qenë në fund të vitit 2024.

 

Sipas buxhetit të vitit 2026, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 45 miliardë lekë, nga 50 miliardë lekë që kishte qenë parashikimi i vitit 2025.

 

Vlera totale e titujve që do të emetohen në tregun e brendshëm gjatë vitit 2025 pritet të jetë rreth 335.1 miliardë lekë, në rënie me afërsisht 6% krahasuar me vitin 2025. Instrumenti me emetime më të shpeshta dhe me shumë më të lartë do të jenë bonot e thesarit 12-mujore, që do të përbëjnë rreth 54% të vlerës totale të emetimeve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat