Depozitat me afat në Lekë rriten për të dytin vit radhazi në 2025
Depozitat me afat në Lekë shënuan rritje për të dytin vit radhazi në 2025, duke reflektuar rikthimin e interesit për kursimet në banka.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 depozitat me afat në monedhën vendase arritën në 226.3 miliardë lekë, me një rritje prej 9.2 për qind krahasuar me një vit më parë, dukshëm më e lartë se rritja prej 3.5 për qind në 2024.
Kthesë pas një dekade rënieje
Pas vitit 2014, depozitat me afat kishin hyrë në një cikël rënieje për shkak të uljes së normave të interesit, duke favorizuar depozitat pa afat dhe llogaritë rrjedhëse. Rikthimi i rritjes pas vitit 2024 lidhet kryesisht me përmirësimin e interesave dhe me rënien e atraktivitetit të instrumenteve të borxhit qeveritar, që më parë konkurronin depozitat bankare.
Interesat stabilizohen, por mbeten stimul
Norma mesatare e interesit për depozitat në Lekë në fund të vitit 2025 ishte 2.39 për qind, pak më e ulët se 2.45 për qind një vit më parë.
Për depozitat në euro, norma mesatare u rrit në 1.57 për qind nga 1.47 për qind, ndërsa disa banka, veçanërisht ato të mesme, ofruan norma më të larta për të tërhequr kursime të reja. Kjo konkurrencë mes bankave ka ndihmuar në zgjerimin e depozitave me afat në sistemin bankar.
Rriten edhe shpenzimet për interesa
Rritja e depozitave është shoqëruar edhe me shtimin e kostove për bankat. Shpenzimet për interesa arritën në 9.1 miliardë lekë në vitin 2025, në rritje me 13.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Kjo lidhet edhe me kërkesën më të lartë për financim në Lekë, pasi kredia në monedhën vendase është zgjeruar ndjeshëm.
Kredia në Lekë dominon tregun
Sipas të dhënave, portofoli i kredisë në Lekë u rrit me 16.5 për qind në vitin 2025 dhe tashmë përbën rreth 60 për qind të totalit të kredisë për ekonominë. Kjo ka shtuar nevojën e bankave për fonde në Lekë, duke rritur interesin për depozitat me afat në monedhën vendase.