Secondary Adv

Emigracioni i të rinjve dhe kostot e jetesës ulin lindjet me 35 për qind në një dekadë

Numri i lindjeve në Shqipëri ka rënë me 35 për qind nga viti 2015 në 2025, i ndikuar nga emigracioni i të rinjve dhe kostot e larta të jetesës.

Sipas të dhënave, lindjet po i afrohen pragut prej 20 mijë në vit, ndërsa pas pandemisë rënia është përshpejtuar dhe është bërë më e qëndrueshme.

 

Më pak të rinj, më pak lindje

Rënia lidhet jo vetëm me uljen e dëshirës për të pasur fëmijë, por edhe me tkurrjen e vetë popullsisë në moshë riprodhuese. Në dekadën e fundit, numri i grave në moshën 20–34 vjeç është ulur me rreth 32 për qind, ndërsa në disa qarqe rënia është edhe më e theksuar. Kjo do të thotë se edhe nëse dëshira për fëmijë mbetet, numri i lindjeve bie për shkak të mungesës së prindërve potencialë.

 

Emigracioni dhe kostot ndikojnë drejtpërdrejt

Ekspertët theksojnë se emigracioni i të rinjve dhe kostot e larta të jetesës janë faktorët kryesorë që po përkeqësojnë trendin.

 

Sipas studimeve, çiftet shqiptare në emigracion priren të kenë më shumë fëmijë sesa ata që jetojnë në Shqipëri, duke treguar ndikimin e kushteve ekonomike dhe sociale në vendimmarrje. Ekziston gjithashtu një hendek i madh mes numrit të fëmijëve që çiftet dëshirojnë dhe atyre që lindin realisht.

 

Rënie e përshpejtuar pas vitit 2015

Të dhënat tregojnë se rënia e lindjeve është përshpejtuar pas vitit 2015, duke hyrë në një fazë më të thellë të tkurrjes demografike.

 

Në vitin 2025 u regjistruan rreth 21,425 lindje, ose 8 për qind më pak se një vit më parë, ndërsa në periudhën 2021–2025 rënia arrin rreth 26 për qind. Kjo lidhet me një kombinim faktorësh: emigracion i vazhdueshëm, shtyrje e lindjes së fëmijëve dhe pasiguri ekonomike.

 

Parashikime shqetësuese për të ardhmen

Nëse trendi aktual vijon, lindjet mund të bien në rreth 13 mijë në vit deri në 2035 dhe madje në 10 mijë deri në 2040. Struktura e popullsisë po ndryshon ndjeshëm, me më pak të rinj që hyjnë në moshë riprodhuese dhe më shumë që dalin prej saj, duke e bërë tkurrjen demografike gjithnjë e më të vështirë për t’u ndalur.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat