Secondary Adv

Ndërtimet e paligjshme në bregdet dhe zona të mbrojtura, KLSH: Mungesë reagimi nga IKMT

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se ndërtimet e paligjshme në zona të mbrojtura, bregdetare dhe muzeale janë lejuar për shkak të mungesës së reagimit dhe koordinimit institucional.

Sipas auditimit për periudhën 2020–2024 në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), sinjalizimet për shkelje kanë qenë të shumta, por në shumë raste nuk janë ndjekur me veprime konkrete.

 

Mungesë inspektimesh dhe reagimi

KLSH thekson se IKMT nuk është angazhuar për të kryer inspektime në terren, edhe pas njoftimeve nga institucione si Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe institucionet e trashëgimisë kulturore.

 

Në shumë raste, çështjet janë deleguar në struktura të tjera për shkak të mungesës së kompetencave, por pa u ndjekur më tej me verifikime apo masa konkrete. Edhe kur janë marrë vendime për prishjen e ndërtimeve të paligjshme, zbatimi i tyre është vonuar, duke sjellë shtim të rasteve të shkeljeve.

 

Raste të shumta ndërhyrjesh të paligjshme

Vetëm për vitin 2020, auditimi evidenton disa raste të sinjalizuara për ndërtime të kundërligjshme në zona bregdetare, të mbrojtura dhe në monumente kulture.

 

Sipas raportit, në asnjë nga këto raste nuk rezulton që IKMT të ketë kryer verifikime në terren në bashkëpunim me institucionet sinjalizuese apo të ketë ndjekur procedurat ligjore. E njëjta situatë është konstatuar edhe në vitin 2024, madje me një numër më të lartë sinjalizimesh dhe me të njëjtin mungesë reagimi.

 

KLSH kërkon masa konkrete

KLSH ka rekomanduar forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe kryerjen e inspektimeve të përbashkëta për çdo rast të sinjalizuar. Gjithashtu, kërkohet ndjekja e plotë e procedurave ligjore deri në zgjidhjen përfundimtare të rasteve dhe raportimi i rezultateve te institucionet përkatëse.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat