Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit
Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për shpalljen e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit, dhe klasifikimi i disa organizatave si terroriste.
Në Kuvend u miratua me 79 vota pro dhe 1 abstenim pr.rezoluta për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”, e cila u fut në rend dite pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Projektrezoluta është futur në rend dite pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve dhe vjen pas paralajmërimeve të mëhershme nga kryeministri.
Parashikohen masa ndaj organizatave
Në draft kërkohet që qeveria shqiptare, menjëherë pas miratimit, të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Gardën Revolucionare të Iranit (Pasdaranët).
Rezoluta dënon gjithashtu sulmet kibernetike të Iranit ndaj institucioneve shqiptare, përfshirë edhe ato ndaj Kuvendit, dhe bën thirrje për koordinim ndërkombëtar kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet.
Përplasje politike dhe bojkot i opozitës
Miratimi i rezolutës është shoqëruar me tension politik, pasi opozita ka bojkotuar seancën parlamentare duke e cilësuar atë si të thirrur në shkelje të procedurave.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në atë që e konsideron një proces të parregullt dhe do të fokusohet në mobilizimin për protestën e paralajmëruar.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës kanë mbrojtur nismën, duke e cilësuar rezolutën si të domosdoshme për qëndrimin e Shqipërisë përkrah aleatëve ndërkombëtarë.
Seanca me pjesëmarrje të kufizuar
Seanca plenare ka nisur pa praninë e shumicës së deputetëve të opozitës, ndërsa në sallë janë vërejtur vende bosh në radhët e tyre. Seancat e radhës të Kuvendit janë planifikuar të zhvillohen më 2 dhe 9 prill.