Nafta shtrenjtohet sërish, çmimi arrin rreth 200 lekë për litër në tregun e pakicës
Çmimi i naftës në vend është rritur sërish, duke arritur në rreth 199 lekë për litër, niveli më i lartë i shënuar në tregun e pakicës gjatë javëve të fundit.
Sipas vëzhgimeve në Tiranë, çmimi është rritur me 6 lekë krahasuar me ditët e mëparshme, duke reflektuar luhatjet e fundit në tregjet ndërkombëtare.
Rritje e ndjeshme pas konfliktit
Që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun vendas është rritur me rreth 24 lekë për litër, ose afërsisht 14 për qind më shumë. Vetëm pak ditë më parë, nafta tregtohej me 193 lekë për litër, ndërsa më herët kishte arritur edhe në 175 lekë për litër para nisjes së tensioneve. Rritja e fundit është reflektuar në disa pika karburanti në Tiranë, përfshirë zona si Bërryli dhe Pazari i Ri.
Ndikimi i bursave ndërkombëtare
Shoqata e Hidrokarbureve shpjegon se çmimi i naftës në tregun vendas ndikohet drejtpërdrejt nga bursat ndërkombëtare. Aktualisht, nafta “Brent” është rritur në rreth 103 dollarë për fuçi, nga rreth 65 dollarë që ishte para nisjes së konfliktit në rajon. Këto luhatje globale po reflektohen menjëherë në tregun e pakicës në vend.
Në monitorim tregu i karburanteve
Autoritetet shqiptare kanë ngritur një task-forcë për të monitoruar situatën në tregun e karburanteve dhe për të analizuar zhvillimet e çmimeve. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se do të shqyrtojë të dhënat mbi çmimet e importit përmes administratës doganore dhe platformave ndërkombëtare të tregtimit.