Rriten eksportet dhe importet në Shkurt 2026, defiçiti tregtar mbetet i lartë
Tregtia e jashtme e Shqipërisë shënoi rritje në Shkurt 2026, por defiçiti tregtar vijon të mbetet në nivele të larta.
Sipas INSTAT, eksportet arritën në 30.9 miliardë lekë, me rritje 2.8 për qind në krahasim me një vit më parë dhe 15.8 për qind ndaj Janarit, ndërsa importet arritën në 68 miliardë lekë, me rritje më të lehtë vjetore prej 0.8 për qind.
Defiçiti mbi 37 miliardë lekë
Si pasojë e diferencës mes importeve dhe eksporteve, defiçiti tregtar arriti në 37.1 miliardë lekë. Ndonëse ka një ulje të lehtë me bazë vjetore, krahasuar me Janarin defiçiti është rritur ndjeshëm me 19.2 për qind.
Energjia dhe makineritë mbështesin eksportet
Rritja e eksporteve është ndikuar kryesisht nga grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike, si dhe nga makineritë dhe pajisjet. Në të kundërt, eksportet e ushqimeve, tekstileve dhe materialeve të ndërtimit kanë dhënë ndikim negativ në ecurinë e përgjithshme.
Importet rriten nga makineritë dhe ushqimet
Në importet, ndikimin më të madh pozitiv e kanë dhënë makineritë dhe pajisjet, si dhe ushqimet dhe pijet. Ndërkohë, rënie janë shënuar në importet e energjisë, materialeve të ndërtimit dhe produkteve kimike.
Kosova dhe Gjermania rrisin peshën në eksporte
Eksportet shqiptare u rritën më shumë drejt Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa rënie u regjistruan drejt Italisë dhe Spanjës. Në importet, rritja më e madhe erdhi nga Kina dhe Kosova, ndërsa ulje pati nga Italia dhe Turqia.
BE mbetet partneri kryesor
Vendet e Bashkimit Evropian vijojnë të mbajnë peshën kryesore në tregtinë e jashtme, me mbi gjysmën e shkëmbimeve totale. Eksportet drejt BE-së përbëjnë mbi 70 për qind të totalit, ndërsa importet nga këto vende rreth gjysmën e importeve gjithsej.