Vetëm 5 mijë kërkesa për azil në vitin 2025, por ikjet me leje pune janë 4 herë më të larta
Kërkesat për azil nga shqiptarët në BE ranë ndjeshëm në 2025, ndërsa emigracioni vijon përmes lejeve të punës që janë disa herë më të larta.
Sipas Eurostat, gjatë vitit 2025 vetëm 5,065 shtetas shqiptarë kërkuan azil në vendet e Bashkimit Europian, me një rënie prej 30 për qind krahasuar me një vit më parë dhe shumë më pak se niveli i vitit 2022. Franca dhe Gjermania mbeten destinacionet kryesore për këtë formë emigrimi.
Zhvendosje drejt lejeve të punës
Megjithatë, rënia e kërkesave për azil nuk tregon ulje të emigracionit, por ndryshim të formës së largimit. Të dhënat tregojnë se shqiptarët po largohen gjithnjë e më shumë përmes lejeve të punës.
Në periudhën 2022–2024 janë dhënë mesatarisht rreth 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani, nga vetëm 3-4 mijë një dekadë më parë. Si rezultat, largimet përmes punës janë rreth katër herë më të larta se kërkesat për azil.
Emigracion i lartë pas pandemisë
Të dhënat tregojnë se emigracioni mbetet në nivele të larta. Vetëm në periudhën 2021–2024, nga vendi janë larguar të paktën 180 mijë persona, ndërsa sipas INSTAT, nga 2021 deri në fillim të 2025-ës, Shqipëria ka pasur 138 mijë largime më shumë se kthime.
Grupi më i madh i emigrantëve janë të rinjtë, sidomos ata të moshës 25–34 vjeç, ndërsa një pjesë e konsiderueshme janë edhe fëmijë. Në total, rreth 62 për qind e të larguarve në vitin 2024 ishin nën moshën 35 vjeç.
Tendenca në nivel europian
Në nivel të Bashkimit Europian, aplikimet për azil kanë rënë gjithashtu. Në dhjetor 2025 u regjistruan rreth 47,650 aplikime për herë të parë, 23 për qind më pak se një vit më parë.
Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania mbeten vendet që presin pjesën më të madhe të aplikantëve, ndërsa në total 45 për qind e vendimeve për azil në tremujorin e fundit të vitit 2025 rezultuan pozitive.