Secondary Adv

Rama: Do të ruajmë çmimin e naftës, në treg distributor shtetëror për blerjet me shumicë

Qeveria synon të ndërhyjë në tregun e karburanteve për të mbajtur nën kontroll çmimet, duke përfshirë edhe krijimin e një distributori shtetëror.

Kryeministri Edi Rama, në një takim me furnizuesit e naftës, tha se situata e krijuar nga kriza në Lindjen e Mesme kërkon masa për të mbrojtur konsumatorët dhe për të ruajtur stabilitetin në treg.

 

Rritje më e moderuar se në bursat ndërkombëtare

Sipas Ramës, ndërsa në tregjet ndërkombëtare çmimet janë rritur deri në 40 për qind, në Shqipëri rritja ka qenë më e kufizuar.

Megjithatë, ai paralajmëroi se ecuria e çmimeve mbetet e paparashikueshme dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme.

 

Rezervat dhe ndërhyrja e shtetit

Kryeministri theksoi se vendi ka rezerva nafte që mbulojnë nga 30 deri në 100 ditë dhe po punohet për zgjerimin e rezervës shtetërore në këtë nivel.

Një nga masat kryesore është krijimi i një kompanie shtetërore që do të veprojë si distributor me shumicë, për të garantuar furnizimin dhe për të ulur varësinë nga ndërmjetësit.

 

Kërkesë për ruajtjen e çmimeve

Rama u bëri thirrje kompanive të ruajnë ekuilibrin aktual të çmimeve dhe të pranojnë marzhe më të ulëta fitimi, në mënyrë që barra e krizës të mos kalojë te qytetarët.

Ai shtoi se, nëse situata përkeqësohet, nuk përjashtohet rikthimi i Bordit të Transparencës për kontrollin e çmimeve.

 

Synim: stabilitet në treg

Qeveria synon të shmangë masa më të ashpra përmes dialogut me operatorët, por paralajmëron ndërhyrje nëse çmimet dalin jashtë kontrollit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat