Nga importohet nafta në Shqipëri, çfarë ndodh nëse bllokohet Kanali i Suezit
Importet e naftës në Shqipëri vijojnë të rriten, me Arabinë Saudite dhe Indinë si burimet kryesore të furnizimit në vitin 2025.
Rritje e importeve për shkak të konsumit
Në vitin 2025, Shqipëria importoi rreth 740 mijë ton naftë, sipas të dhënave nga Doganat, duke reflektuar një rritje të vazhdueshme të kërkesës në tregun vendas. Shtimi i konsumit lidhet kryesisht me zhvillimin e turizmit dhe rritjen e numrit të automjeteve që qarkullojnë në vend.
Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga tensionet në Lindjen e Mesme, është reflektuar edhe në tregun vendas, ku çmimi i naftës ka arritur deri në 200 lekë për litër, nga rreth 175 lekë në fund të muajit shkurt.
Arabia Saudite furnizuesi kryesor
Burimi kryesor i importit të naftës për Shqipërinë në vitin 2025 ishte Arabia Saudite, nga ku u siguruan rreth 257 mijë ton, ose 35 për qind e totalit. Importet nga ky vend realizohen kryesisht nga kompanitë “Kastrati Energy Trade” dhe “Gega Oil”, të cilat dominojnë tregun vendas.
Arabia Saudite është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë dhe një aktor kyç në tregun global, me prodhim që varion nga 9 deri në 11 milionë fuçi në ditë.
India si qendër përpunimi dhe eksporti
Shteti i dytë nga i cili Shqipëria importon naftë është India, që përbën rreth 16 për qind të totalit të importeve. Edhe në këtë rast, pjesa më e madhe e furnizimit realizohet nga operatorët kryesorë të tregut vendas.
India, ndonëse nuk është ndër prodhuesit kryesorë të naftës bruto, është kthyer në një qendër të rëndësishme për përpunimin e saj. Ajo importon naftë nga tregje të ndryshme, e rafinon dhe më pas e eksporton si produkt të gatshëm drejt tregjeve ndërkombëtare, përfshirë Europën.
Roli kritik i Kanalit të Suezit
Transporti i naftës drejt Shqipërisë kalon nëpër rrugë të gjata tregtare, ku një rol kyç luan Kanali i Suezit. Anijet që transportojnë naftën kalojnë përmes këtij kanali për të arritur në Mesdhe dhe më pas në portet shqiptare.
Megjithatë, për shkak të tensioneve në Detin e Kuq, shumë kompani transporti po shmangin këtë rrugë dhe po devijojnë anijet rreth Afrikës, duke rritur ndjeshëm kohën e transportit, deri në 20 ditë më shumë, dhe kostot përkatëse. Edhe pse aktualisht Kanali i Suezit mbetet i hapur dhe funksional, reduktimi i trafikut dhe rreziqet në rajon mbeten faktorë që mund të ndikojnë në furnizimin dhe çmimet e naftës në tregun shqiptar.