Secondary Adv

Çmimet e naftës jashtë kontrollit, Brent tejkalon 110 dollarë/fuçi

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm duke kaluar mbi 110 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet globale reagojnë ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Tregjet aziatike në rënie

Aksionet në tregjet aziatike kanë shënuar rënie, ndërsa investitorët po reagojnë ndaj zhvillimeve të fundit në sektorin energjetik dhe tensioneve gjeopolitike. Indeksi japonez Nikkei 225 është vënë nën presion, ndërkohë që edhe indekset e tjera kryesore si Kospi në Seul, Hang Seng në Hong Kong dhe Shanghai Composite kanë ndjekur të njëjtin trend negativ.

 

Pasiguria është shtuar edhe nga vendimi i Bankës së Japonisë për të mbajtur normat e interesit të pandryshuara, duke shtuar presionin mbi tregjet financiare.

 

Nafta mbi 110 dollarë për fuçi

Nafta Brent, që shërben si referencë globale, është rritur në rreth 111 dollarë për fuçi, me një rritje prej 3.4 për qind, ndërsa nafta amerikane WTI ka kapërcyer nivelin e 99 dollarëve për fuçi. Ky trend rritës është nxitur nga shqetësimet për furnizimin global, pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Lindjen e Mesme.

 

Analistët paralajmërojnë se nëse tensionet vijojnë, çmimet mund të rriten edhe më tej, duke ndikuar drejtpërdrejt në inflacion dhe kostot e energjisë në mbarë botën.

 

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike

Konflikti në rajon është intensifikuar me sulme direkte ndaj impianteve kritike të gazit. Katari raportoi dëme në objektet e tij kryesore të gazit natyror të lëngshëm pas sulmeve me raketa nga Irani, ndërsa më herët Irani kishte paralajmëruar hakmarrje për goditjen e fushës së tij të gazit në Parsin Jugor.

 

Parsi Jugor konsiderohet jetik për furnizimin energjetik të Iranit, pasi sipas të dhënave, rreth 85 për qind e energjisë elektrike në vend prodhohet nga gazi.

 

Rreziku për mungesë globale të energjisë

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbyllur përkohësisht impiantet e gazit pas kërcënimeve me raketa, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se dëmtimi i objekteve në Ras Laffan mund të shkaktojë mungesë të qëndrueshme të gazit në tregjet ndërkombëtare.

 

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kritike për furnizimin global, ku kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit që konsumohet në botë.

 

Azia më e ekspozuara ndaj krizës

Rajoni aziatik mbetet më i prekuri nga kjo situatë, pasi konsumon mbi 80 për qind të energjisë që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Pjesa më e madhe e gazit të lëngshëm nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe është e destinuar për tregjet aziatike, duke e bërë rajonin veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve të furnizimit.

 

Si reagim, disa vende kanë nisur masa emergjente. Japonia ka përdorur rezervat strategjike të naftës, Koreja e Jugut ka vendosur kufizime për çmimet e karburantit dhe po orienton prodhimin drejt qymyrit dhe energjisë bërthamore, ndërsa vende të tjera po kërkojnë burime alternative furnizimi.

 

Burimi: Euronews


Më të lexuarat