Ne nentor nisin punimet ne terren per shetitoren e Vlores
Projekti Pilot i Integrimit të Zonës Informale ka sjellë për inspektim në Vlorë, ministren e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, shoqëruar nga drejtuesit vendor Gjika e Hoxha. Lagja “Kushtrimi” e qytetit të Vlorës e konsideruar si zona më informale e qytetit bregdetar, ka qënë jashtë vëmendjes së investimeve, pa ndriçim dhe me infrastrukturë përtej çdo parametri.
Sipas pohimeve të Ministres, në nëntor fillon puna në terren për Lungomaren, në kuadër të së cilit, ajo tha se banorëve që iu prishën banesat me leje në zonën e Ujit të ftohtë, u ka kaluar në bashki edhe kësti i dytë i dëmshpërblimit.
Lagjia “Kushtrimi” në qytetin e Vlorës, prej vitesh vuan mungesën e investimeve, duke u kthyer në një zonë informale, por kjo gjë pritet të ndryshojë. Kjo falë një investimi të përbashkët të qeverisë në bashkëpunim me bashkinë e Vlorës, që parashikon ndërhyrje në infrastrukturë. Punimet u inspektuan nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, e cila shoqërohej edhe nga krerët e pushtetit vendor.
Ministrja Gjermeni dha më shume detaje rreth investimeve në këtë zonë. “Përmes Fondit të Zhvillimeve të Rajonit po mbështesim me një fond 100 milion lekë të reja në këtë projekt. E veçanta e këtij projekti është një bashkëpunim mes Bashkisë së Vlorës, Ministrisë së Zhvillimit Urban e Turizmit dhe projekti për njësinë vendore i USAID”, deklaroi Gjermeni.
E pyetur lidhur me projektin e Lungomares, Gjermeni pohoi së në muajin nëntor pritet të startoje impelementimi i punimeve ne terren për realizmin e këtij projekti. “Projekti i vijës bregdetare fillon në nëntor realizimi i tij në terren”, theksoi ministrja Gjermeni. Ndërkohë Gjermeni pohoi se dhe përfundimi i aksit Levan –Vlorë pritet ti japë një hov pozitv zhvillimit të ekonmise metropolit jugor.
Pas takimit me banorë të Vlorës, ministrja Gjermeni bëri të ditur se brenda sezonit turistik 2015 do të ketë përfunduar rruga Vlorë-Levan, ku si urë lidhëse do të shërbejë Transballkanikja.