Secondary Adv

Importuesit: Ulja e akcizës minimale, nëse qeveria vë çmime nën kosto rrezikohet furnizimi me naftë

Qeveria ka ndërmarrë dy vendime për të stabilizuar çmimin e naftës.

Vendimi i parë është që akciza do të ulet në 20% duke synuar lehtësimin e qytetarëve dhe uljen e çmimeve të karburanteve.

 

Vendimi i dytë është ai kontrollit mbi marzhet e fitimit dhe çmimet tavan, me synim mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet në treg. Bordi do të vendosë marzhet e fitimit për shoqëritë e tregtimit të karburanteve, në 3 lekë për litër (shumicë) dhe 12 lekë për litër në pakicë, duke synuar më shumë transparencë dhe kontroll. Bordi do të vendosë çmime tavan sipas tregjeve ndërkombëtare dhe shkeljet ndëshkohen deri në pezullim licence.

 

Gjatë ditës së djeshme, nafta u rrit në pikat kryesore të tregtimit të karburantit me 10-15 lekë për litër, duke arritur në 214 lekë, niveli më i lartë që nga kriza e luftës Rusi-Ukrainë, nga 170-175 lekë për litër që ishte deri në fund të shkurtit.

 

Cili do të jetë efekti në treg i uljes së akcizës

 

Lidhur me vendimin për uljen e akcizës, efekti në treg pritet të jetë rreth 8-10 lekë për litër.

 

Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve thotë se ulja e akcizës është realisht minimale dhe i tillë është dhe efekti që do të japë në treg. “10 lekë për litër nuk janë asgjë. Vetëm dje çmimet u rritën me 14 lekë për litër. Qeveria mund ta nginte tërësisht këtë taksë në mënyrë të përkohshme, që do të jepte një ndikim më të fortë prej 40 lekë për litër.

 

Importuesit: Qeveria nuk po ndërhyn në fitim, por në marzhet e operimit, rrezikohet furnizimi me naftë

 

Për importuesit, qeveria po ngatërron marzhet e fitimit, me marzhet e tregtimit e operimit. Marzhi i fitimit prej 12 lekë që ka vendosur qeveria mbi çmimin e blerjes dhe taksat nuk mjafton për të mbuluar kostot e operimit nga dalja e karburantit nga depo deri në pikat e furnizimit me pakicë, që janë rreth 18-19 lekë për litër, ndërkohë që as që bëhet fjalë për fitim.

 

“Nëse do të tentohet të vendosen çmime me borde e shpikje shqiptare, që janë më të ulëta sesa kostot e blerjes + taksa+ shpenzimet e operimi do të rrezikohet shumë që tregu të mbetet pa naftë, pasi askush në afat të shkurtër nuk do të furnizojë tregun me humbje. Kështu që bëjnë mirë qeveritarët që manipulojnë opinionin se tregtarët po fitojnë shumë, që të bëhen gati të përdorin idetë e tyre brilante të furnizojnë tregun me çmime të lira. Fushën bosh e kanë, asnjë pengesë ligjore nuk kanë. Rruga normale siç na mëson sistemi ekonomik qe kemi zgjedhur të jetojmë është ulje taksash, subvencion në degët me ndikim dhe mbështetje me garanci sovrane për tregun, pasi në këto kushte duhet dyfish kapital për operim”, thotë Luigj Aliaj nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.

 

“Po qe se situata ndërkombëtare vazhdon dhe maksimumi dy muaj po kështu, çmimi do të jetë shqetësimi më i vogël. Nuk do të ketë fare furnizim”, paralajmëron ai.

 

Sipas Aliajt, nga 130 lekë për litër, që janë taksa 100 lekë paguhen direk në doganë (taksa e qarkullimit 27 lekë për litër, akciza 39 lekë për litër, TVSh rreth 30 lekë për litër), të tjera janë taksa lokale. Vetëm kosto në shumicë ka arritur në 200 lekë për litër. Më pas duhen llogaritur, transporti, shpenzime bankare, paga, siguracion, taksat lokale, amortizimi etj. Kostot variojnë dhe sipas rretheve e pikave. 1 autobot nga depo në Tiranë ka kosto transporti 3 lekë për litër, ndërsa në Dibër 7 lekë për litër. Shpenzimet operative të pikave të vogla janë më të mëdha se të atyre të mëdha dhe ato pritet të goditen më shumë nga ndërhyrja e çmimeve.

 

“Në vend që të krijohet Bordi, shteti le të krijojë menjëherë Entin Shtetëror të tregtimit të Karburanteve. Infrastrukturën po ia ofrojmë ne falas dhe le të sjellë ai naftë me çmime më të lira”, thotë Aliaj, duke shtuar se shqetësimi real në këto momente është siguria e furnizimit me naftë. “Nëse kriza përshkallëzohet dhe prodhimi global tkurret, operatorët e vegjël nuk do të ketë fuqi të furnizohen me karburant”.

 

Sot, rreth 50% e naftës në vend importohet direkt nga Arabia Saudite dhe India dhe pjesa tjetër kryesisht nga vendet e Europës.

 

Sektori i karburanteve në vend qarkullon volume të mëdha, po ka ndër normat më të ulëta të fitimit. Sipas të dhënave nga bilancet e 2024-s, norma e fitimit para taksave për operatorët e shumicës është rreth 0.5%, ndërsa për tregtuesit e pakicës midis 2 deri në 4.5%.

 

Rekordi i naftës në vend ka qenë 265 lekë për litër 

 

Rekordi i naftës në vend është arritur në 265 lekë për litër në qershor 2022, pas përshkallëzimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, sipas të dhënave të ruajtura nga Monitor. Edhe në atë kohë, qeveria ngriti Bordin e transparencës që në 12 mars. Në kohën që Bordi u krijua, nafta ishte rreth 230-235 lekë për litër dhe krijimi i Bordit nuk pengoi në rritjen e çmimeve, që kulmuan në qershor dhe qëndruan mbi 200 lekë për litër për muaj të tërë.

 

Megjithatë, edhe importuesit, pas tetorit 2024 për mbi një vit mbajtën çmime të pandryshuar në 170-175 lekë për litër, duke mos reflektuar ulje në bursa, që historikisht janë më të ngadalta sesa lëvizjet në rritje! /Monitor


Më të lexuarat