Qeveria planifikon 7.38 mld euro shpenzime deri në 2029 për zbatimin e strategjive kryesore
Dokumenti i Politikave Prioritare 2027–2029 parashikon 7.38 mld euro për zbatimin e strategjive kryesore të zhvillimit.
Vendimi përcakton drejtimet kryesore të politikave publike dhe shërben si bazë për buxhetimin afatmesëm, duke orientuar fondet drejt reformave strukturore dhe procesit të integrimit evropian.
Dokumenti përfshin një gamë të gjerë strategjish sektoriale dhe ndërsektoriale, ndërsa financimi i tyre do të realizohet kryesisht brenda tavaneve ekzistuese fiskale, me hapësirë të kufizuar për projekte të reja.
5 strategjitë me financimin më të lartë
Të dhënat tregojnë një përqendrim të qartë të fondeve në disa sektorë kyç, me dominim të energjisë dhe shërbimeve publike:
Energjia renditet si sektori më i financuar, me rreth 145.8 miliardë lekë për periudhën 2027–2029, duke reflektuar rëndësinë strategjike të sigurisë energjetike dhe tranzicionit drejt burimeve të qëndrueshme.
Në vend të dytë vjen shëndetësia, me afro 134.8 miliardë lekë, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Pas saj renditet mbrojtja sociale, me rreth 122.3 miliardë lekë, e fokusuar në mbështetjen e grupeve vulnerabël dhe reduktimin e pabarazive.
Në listën e prioriteteve të financimit të lartë përfshihet edhe menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë, me rreth 69.8 miliardë lekë, një tregues i rritjes së vëmendjes ndaj emergjencave dhe ndryshimeve klimatike.
Pesëshja mbyllet me Strategjinë e Specializimit Inteligjent, me një fond rreth 62.1 miliardë lekë.
Në tërësi, shpërndarja e fondeve tregon një orientim të fortë drejt sektorëve me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik, ndërsa mbetet për t’u parë se sa efektivisht këto burime do të përkthehen në rezultate konkrete në terren.