Standard and Poor’s rikonfirmon vlerësimin e Shqipërisë në BB dhe perspektivë të qëndrueshme
Standard & Poor’s rikonfirmoi vlerësimin “BB” për Shqipërinë, duke theksuar stabilitetin makroekonomik dhe perspektivën e qëndrueshme.
Raporti i publikuar më 23 mars 2026 vlerëson se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë ndaj krizave të njëpasnjëshme, si tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19 dhe kriza e energjisë.
Rritje ekonomike e qëndrueshme
Sipas S&P, PBB-ja reale pritet të rritet me 3.7% në vitin 2025 dhe mbi 3% në periudhën 2027–2029, me turizmin që mbetet një shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik. Flukset nga turizmi kanë ndihmuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm dhe në uljen e deficitit të llogarisë korrente në nivele të moderuara.
Financat publike dhe borxhi
Agjencia parashikon një deficit buxhetor rreth 2.4% të PBB-së në vitin 2026, ndërsa në afatmesëm pritet të stabilizohet rreth 2% deri në vitin 2029. Borxhi publik parashikohet të qëndrojë pranë 50% të PBB-së, i mbështetur nga një politikë fiskale e kujdesshme dhe kuadri ligjor i buxhetit.
Progres në integrimin europian
S&P vlerëson si zhvillim pozitiv hapjen e të gjitha kapitujve negociues me Bashkimin Europian, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit.
Forcohen rezervat dhe sistemi bankar
Rezervat valutore arritën në 8.7 miliardë dollarë në janar 2026, me një rritje prej 33%, të mbështetura nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja. Sektori bankar mbetet i qëndrueshëm, me kredi të këqija në nivelin 3.85% dhe me një kapitalizim dhe likuiditet të fortë.
Sinjal pozitiv për investitorët
Rikonfirmimi i vlerësimit nga S&P konsiderohet një tregues i besimit në ekonominë shqiptare dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë.