40 mln euro të ardhura nga Airbnb për 2024, Tatimet: Deklaroni në DIVA fitimet
Tatimet kërkojnë deklarimin e të ardhurave nga Airbnb për vitin 2024 deri më 31 mars 2026.
Rreth 40 milionë euro të ardhura janë gjeneruar nga dhënia e apartamenteve me qira përmes platformës Airbnb gjatë vitit 2024, nga rreth 8,500 individë dhe subjekte në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga administrata tatimore, këto të ardhura lidhen me një aktivitet gjithnjë në rritje në tregun e akomodimit ditor, ndërsa për rezervimet e kryera janë paguar rreth 1,7 milionë euro komisione ndaj platformës.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se të ardhurat e përfituara nga qiradhënia ditore duhet të deklarohen përmes Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA). Pas deklarimit, këto të ardhura i nënshtrohen një tatimi prej 15 për qind, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
Referuar të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–dhjetor 2024, mbi 8,472 individë dhe subjekte kanë realizuar shitje të akomodimeve përmes Airbnb në Shqipëri. Vlera totale e rezervimeve ka arritur në 3,816,021,288 lekë, ndërsa komisionet e platformës kanë kapur vlerën 167,591,014 lekë.
Thirrja e Tatimeve dhe afati i fundit
Administrata Tatimore thekson se disponon të dhëna të detajuara mbi rezervimet dhe të ardhurat e realizuara përmes platformës Airbnb dhe u bën thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve që kanë përfituar nga kjo veprimtari të bëjnë deklarimin e tyre në DIVA 2025, për të shmangur kontrollet dhe penalitetet e mundshme.
Afati i fundit për deklarimin e të ardhurave është 31 mars 2026, ndërsa mosrespektimi i këtij afati do të sjellë penalitete sipas legjislacionit në fuqi, thuhet në njoftimin zyrtar të administratës tatimore.