Secondary Adv

Mbi 50 për qind e qytetarëve jashtë tregut të punës, alarm për ekonominë e Kosovës

Mbi gjysma e qytetarëve në moshë pune në Kosovë mbeten jashtë tregut të punës, sipas të dhënave të fundit.

Mbi gjysma e popullsisë në moshë pune në Kosovë mbetet jashtë tregut të punës, duke ngritur shqetësime serioze për zhvillimin ekonomik të vendit. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të bazuara në Regjistrimin e Popullsisë (ReKos 2024), tregojnë se shkalla e papunësisë ka arritur në 13.9 për qind, ndërsa jo-aktiviteti ekonomik mbetet në nivele shumë të larta.

 

Nga gjithsej 1,063,687 persona në moshë pune, rreth 548,896 janë joaktivë, duke përfaqësuar 51.6 për qind të kësaj kategorie. Kjo situatë konsiderohet një ndër sfidat kryesore për ekonominë, pasi një pjesë e madhe e potencialit njerëzor mbetet e pashfrytëzuar.

 

Gratë më të prekura nga jo-aktiviteti

Gjendja paraqitet edhe më shqetësuese te gratë, ku 65.4 për qind e tyre janë jashtë tregut të punës, krahasuar me 37.8 për qind te meshkujt. Po ashtu, rreth 79 për qind e grave që janë aktive në kërkim të punës rezultojnë të papunësuara, duke reflektuar një pabarazi të thellë në tregun e punës.

 

Kryetari i Aleanca Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini, i cilësoi këto shifra si dëshmi të dështimit të politikave ekonomike dhe sociale ndër vite, duke theksuar se vendi po humb kapitalin e tij më të vlefshëm, potencialin njerëzor.

 

“Me një papunësi prej 13.9% dhe qindra mijëra qytetarë joaktivë e numerikisht mbi 500 mijë, Kosova po humb potencialin e saj më të madh kapitalin njerëzor. Në vend të një ekonomie dinamike dhe konkurruese, po krijohet një model i varësisë nga remitencat dhe konsumit, pa bazë të fortë prodhuese”, u shpreh Shahini.

 

Hendek në të dhënat e punësimit

Sipas tij, situata është rezultat i mungesës së një strategjie të qartë për punësim dhe zhvillim ekonomik, ndërsa të dhënat mbi punësimin vazhdojnë të ngjallin dilema. Sipas ish-Qeverisë Kurti II, në fund të vitit 2023 numri i të punësuarve kishte arritur në rreth 425 mijë, ndërsa të dhënat nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës tregojnë rreth 350 mijë llogari aktive, duke krijuar një hendek prej 80 deri në 90 mijë personash që nuk reflektohen në sistemin e kontributeve.

 

Të dhënat e Trustit tregojnë se rritja e punësimit mbetet minimale, vetëm 3 deri në 4 për qind në vit, duke vënë në pikëpyetje pretendimet për rritje më të lartë të punësimit.

 

Sektorët kryesorë të punësimit

Punësimi në Kosovë vazhdon të përqendrohet në disa sektorë kryesorë ekonomikë, ku tregtia zë 19.7 për qind, prodhimi 12.7 për qind, ndërtimtaria 9.6 për qind, arsimi 8.5 për qind dhe administrata publike dhe mbrojtja 8.2 për qind. Gratë janë kryesisht të punësuara në sektorët e tregtisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor, me 48.9 për qind të tyre, ndërsa meshkujt dominojnë në tregti, prodhim, ndërtimtari, administratë publike dhe aktivitete të akomodimit dhe shërbimeve, me 63.2 për qind.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat