Secondary Adv

Vorë–Hani i Hotit, nënshkruhet kontrata 8.8 mln euro për mbikëqyrjen e rehabilitimit të hekurudhës

Nënshkruhet kontrata për mbikëqyrjen e rehabilitimit të linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit.

Një bashkim kompanish ndërkombëtare, franceze dhe spanjolle, ka nënshkruar një kontratë me vlerë rreth 8.8 milionë euro për të mbikëqyrur rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit. Konsorciumi SAFEGE–EPTISA, i përbërë nga SUEZ Consulting dhe EPTISA Servicios de Ingeniería S.L., do të ofrojë shërbimet e konsulencës mbikëqyrëse për këtë projekt të rëndësishëm për infrastrukturën hekurudhore në vend.

 

Projekti financohet dhe mbështetet nga institucione ndërkombëtare dhe zbatohet nga Hekurudha Shqiptare (HSH), operatori shtetëror përgjegjës për rrjetin hekurudhor. Roli i konsulentit përfshin mbikëqyrjen e plotë të punimeve civile, si dhe të furnizimit dhe instalimit të sistemeve elektromekanike, duke garantuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, respektimin e afateve dhe kontrollin e cilësisë gjatë zbatimit.

 

Afatet dhe procedura e përzgjedhjes

Kontrata është nënshkruar në shkurt 2026 dhe është publikuar në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke parashikuar një afat zbatimi deri në gusht 2032. Përzgjedhja e konsorciumit është bërë përmes një tenderi të hapur me dy zarfa dhe proces parakualifikimi, që synon të balancojë vlerësimin teknik me atë financiar.

 

Projekt strategjik për rrjetin hekurudhor

Linja Vorë–Hani i Hotit është pjesë e investimeve më të gjera në sektorin hekurudhor shqiptar, me një vlerë totale projekti prej rreth 356 milionë eurosh, të bashkëfinancuar nga institucione ndërkombëtare përmes granteve dhe huave. Projekti përfshin rehabilitimin dhe ndërtimin e rreth 120 kilometrave linjë dhe synon integrimin e Shqipërisë në rrjetin hekurudhor europian TEN-T dhe në Korridorin Pan-Europian X.

 

Linja ekzistuese, e ndërtuar në disa faza nga vitet 1960 deri në 1985, lidh zona urbane përgjatë ultësirës perëndimore dhe shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi në Han të Hotit. Ajo ka operuar prej vitesh me kufizime dhe u ndërpre pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat