Secondary Adv

Turizmi solli rekord prej 5.72 miliardë eurosh në vitin 2025

Të ardhurat nga turizmi në Shqipëri arritën rekord historik prej 5.72 miliardë eurosh në vitin 2025.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi gjatë vitit 2025 arritën në 5.72 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në bilancin e pagesave. Krahasuar me vitin 2024, kur këto të ardhura ishin 4.99 miliardë euro, rritja është me rreth 731.6 milionë euro, ose 14.7 për qind, duke konfirmuar rolin kyç të turizmit si burim kryesor i valutës për ekonominë shqiptare.

 

Ndërkohë, shqiptarët kanë rritur gjithashtu shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, por me ritëm më të ulët. Në vitin 2025, këto shpenzime arritën në 3.04 miliardë euro, nga 2.70 miliardë euro një vit më parë, duke u zgjeruar me rreth 339 milionë euro, ose 12.6 për qind.

 

Bilanci neto në nivel rekord

Si rezultat i kësaj ecurie, bilanci neto i turizmit u rrit në 2.68 miliardë euro në vitin 2025, nga 2.29 miliardë euro në vitin 2024. Përmirësimi prej rreth 392.6 milionë eurosh, ose 17.1 për qind, përfaqëson një tjetër rekord historik, duke treguar se diferenca mes të ardhurave nga turistët e huaj dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit është zgjeruar ndjeshëm.

 

Gjatë vitit 2025, shpenzimet e të huajve në Shqipëri ishin rreth dy herë më të larta se ato të turistëve shqiptarë jashtë vendit, një raport më i favorshëm krahasuar me vitin 2024. Ky zhvillim përkthehet në më shumë valutë që hyn në ekonomi dhe në një rritje të konsumit të mbështetur nga vizitorët e huaj.

 

Rritje e fortë në afatgjatë

Në një perspektivë më afatgjatë, zgjerimi i sektorit turistik është edhe më i theksuar. Krahasuar me vitin 2008, të ardhurat nga shpenzimet e të huajve janë rritur gati 4.9 herë, ndërsa bilanci neto i turizmit është zgjeruar afro 24 herë, duke konfirmuar transformimin e turizmit në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat