Secondary Adv

Remitancat arrijnë rekord, 1.1 miliardë euro në vitin 2025

Të ardhurat nga emigrantët në Shqipëri shënojnë rekord historik prej 1.1 miliardë eurosh në vitin 2025.

Paratë që emigrantët dërgojnë drejt familjeve të tyre në Shqipëri kanë vijuar trendin rritës edhe gjatë vitit 2025, duke arritur në një rekord të ri prej 1.1 miliardë eurosh, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave. Krahasuar me një vit më parë, remitancat u rritën me 5.9 për qind, ndërsa kjo ecuri lidhet edhe me shtimin e numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit si pasojë e valës së re të emigracionit.

 

Rritja e prurjeve u përshpejtua veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit, kur tradicionalisht flukset janë më të larta për shkak të kthimit të emigrantëve gjatë verës dhe festave të fundvitit. Në periudhën korrik-shtator 2025, emigrantët sollën rreth 285 milionë euro, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit edhe 302 milionë euro të tjera.

 

Tendencë rritëse pas vitit 2013

Që prej vitit 2013, remitancat kanë ndjekur një trend të qëndrueshëm në rritje, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni që u intensifikua pas vitit 2015. Pas një rënieje të përkohshme në vitin 2020 për shkak të pandemisë, prurjet u rikthyen me ritme të përshpejtuara dhe në vitin 2022 kaluan për herë të parë kufirin e 1 miliard eurove.

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se migracioni neto në Shqipëri vijon të jetë negativ përgjatë periudhës 2011-2025, duke reflektuar më shumë dalje sesa hyrje të popullsisë. Pas pandemisë, emigracioni u rrit ndjeshëm, me një humbje neto prej -32,853 personash në vitin 2021 dhe -32,497 në vitin 2022, ndërsa kulmi u arrit në vitin 2024 me rreth -43,761 persona.

 

Destinacionet dhe trendet e reja

Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë periudhës 2021-2024, vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë 284,585 leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë për herë të parë. Në rritje janë veçanërisht lejet e punës, të cilat përbëjnë rreth një të tretën e totalit dhe janë dyfishuar krahasuar me periudhën para pandemisë.

 

Sipas aktorëve të tregut, destinacionet kryesore të emigrantëve mbeten vendet tradicionale si Greqia dhe Italia, ndërsa vitet e fundit është vënë re rritje e flukseve edhe nga vende si Anglia dhe Gjermania.

 

Roli i remitancave në ekonomi

Remitancat përbëjnë një komponent të rëndësishëm të llogarisë korrente në bilancin e pagesave dhe përfshijnë të gjitha transfertat monetare që emigrantët dërgojnë drejt familjeve në Shqipëri. Banka e Shqipërisë i llogarit këto flukse sipas standardeve të FMN-së, duke përfshirë si kanalet formale përmes bankave dhe institucioneve financiare, ashtu edhe vlerësimet për prurjet informale.

 

Për të pasqyruar sa më saktë këto flukse, përdoren të dhëna nga sistemi bankar, raportimet e subjekteve të licencuara dhe anketa të posaçme pranë familjeve përfituese, duke synuar një vlerësim të plotë të ndikimit të remitancave në ekonominë vendase.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat