Secondary Adv

BSH mban normën bazë në 2.5 për qind, paralajmëron rreziqe nga Lindja e Mesme

Banka e Shqipërisë nuk ndryshon normën bazë, ndërsa paralajmëron rreziqe nga tensionet globale.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5 për qind. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se ekonomia shqiptare ka shfaqur ecuri pozitive deri në tremujorin e parë të vitit 2025, por paralajmëroi se konflikti në Lindjen e Mesme përbën një burim të lartë rreziku dhe pasigurie për të ardhmen.

 

Sipas tij, rritja e shpejtë e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare si pasojë e tensioneve gjeopolitike mund të ketë ndikim të ndjeshëm edhe në ekonominë shqiptare. Ai theksoi se kohëzgjatja dhe intensiteti i këtij konflikti janë të vështira për t’u parashikuar, por nëse zgjatet, mund të sjellë një goditje të fortë të ofertës, të ngjashme me efektet e luftës në Ukrainë në vitin 2022.

 

Rrezik për inflacionin dhe rritjen ekonomike

Guvernatori theksoi se një skenar i tillë do të kishte pasoja negative për inflacionin dhe rritjen ekonomike, duke kërkuar një qasje të kujdesshme nga politika monetare dhe fiskale. Sipas tij, masat që mund të ndërmerren duhet të synojnë ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar, si dhe mbrojtjen e shtresave më të ndjeshme të shoqërisë.

 

Ai nënvizoi se politika monetare do të vazhdojë të fokusohet në stabilitetin e çmimeve, duke synuar që goditjet e ofertës të mos shndërrohen në presione të qëndrueshme inflacioniste në afat të gjatë.

 

Ekonomia në rritje, por me sfida sektoriale

Sipas të dhënave të deritanishme, ekonomia shqiptare është mbështetur nga rritja e konsumit familjar, investimet e sektorit privat dhe eksporti i shërbimeve. Ndërkohë, politika fiskale ka vijuar të jetë konsoliduese, ndërsa eksportet e mallrave kanë shënuar rënie. Zgjerimi ekonomik është përqendruar kryesisht në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit, ndërsa bujqësia dhe industria kanë vijuar të tkurren.

 

Rritja e kërkesës është reflektuar edhe në tregun e punës, ku punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 5.6 për qind gjatë vitit 2025, paga mesatare u rrit me 8.5 për qind dhe papunësia ra në një nivel historik prej 8.3 për qind. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë dhe mungesa e ofertës vijojnë ta mbajnë tregun nën presion.

 

Kredi në rritje dhe kushte të favorshme financimi

Sejko theksoi se politika monetare ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në përmirësimin e kushteve të financimit. Ulja e normave të interesit gjatë vitit 2025 ka nxitur rritjen e kreditimit, ndërsa tregjet financiare karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe stabilitet i sektorit bankar.

 

Portofoli i kredisë u rrit me rreth 14 për qind në dy muajt e parë të vitit 2026, duke reflektuar financimin e investimeve të bizneseve dhe blerjen e banesave nga familjet. Kjo rritje ka mbështetur konsumin dhe investimet private, duke kontribuar pozitivisht në zgjerimin ekonomik të vendit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat