Taksat dhe Tarifat Vendore Tiranë: Paguani detyrimet 2026 në kohë për të shmangur penalitetet
Bashkia Tiranë u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të paguajnë në kohë detyrimet për të shmangur penalitetet.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Tiranë (DPTTV) njofton se gjatë muajit mars është përmbyllur procesi i gjenerimit dhe shpërndarjes së njoftimeve për detyrimet e taksave dhe tarifave vendore për vitin tatimor 2026. Ky proces përfshin si subjektet tregtare për detyrimet e biznesit, ashtu edhe individët që janë pronarë të njësive tregtare për detyrimet e taksës mbi pasurinë e paluajtshme.
Për të lehtësuar aksesin dhe transparencën, njoftimet janë vënë në dispozicion në mënyrë elektronike përmes platformës “e-Albania”, ku çdo taksapagues mund të konsultojë detyrimet në profilin e tij, ndërsa paralelisht ato janë dërguar edhe me postë në adresat e vetëdeklaruara për të garantuar informim të plotë.
Afatet e pagesave për vitin 2026
DPTTV u bën apel të gjithë taksapaguesve që të kryejnë pagesat brenda afateve ligjore për të shmangur penalitetet, kamatëvonesat dhe gjobat që aplikohen në rast vonese. Për bizneset, afati për pagesën e taksave dhe tarifave vendore është data 31 maj 2026, ndërsa për taksën mbi pasurinë e paluajtshme për pronarët e njësive tregtare, kësti i parë duhet të paguhet deri më 20 prill 2026 dhe kësti i dytë deri më 30 qershor 2026.
Shërbimi dhe asistenca për taksapaguesit
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore thekson se mbetet e angazhuar për të ofruar asistencë për çdo taksapagues, duke ftuar qytetarët dhe bizneset që të verifikojnë në kohë detyrimet dhe të respektojnë afatet përkatëse. Për çdo paqartësi apo informacion shtesë, taksapaguesit mund të kontaktojnë në adresën elektronike taksat@tirana.al ose të paraqiten pranë sporteleve të shërbimit për ndihmë të drejtpërdrejtë.