Pas vendimit të Bordit ulet çmimi i naftës në pikat e pakicës, arrin 203 lekë për litër
Pas vendimit të Bordit të Transparencës, karburantet shënojnë ulje të ndjeshme në tregun vendas.
Pas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës, çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë shënuar një rënie të menjëhershme. Në pikat e shitjes me pakicë, nafta është ulur me 11 lekë për litër, duke zbritur nga 214 lekë në 203 lekë për litër. Njëkohësisht, edhe benzina ka pësuar rënie të ndjeshme, duke kaluar nga 199 lekë për litër në 175 lekë për litër.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të Bordit, i cili në mbledhjen e tij përcaktoi që çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 203 lekë për litër dhe 191 lekë për litër në shumicë, ndërsa për benzinën çmimi maksimal në pakicë të jetë 175 lekë për litër dhe 163 lekë për litër në shumicë.
Luhatjet në treg dhe ndikimi ndërkombëtar
Çmimet e mëparshme të karburanteve, me naftën në nivelin 214 lekë për litër dhe benzinën 199 lekë për litër, qëndruan për rreth një javë, pas një rritjeje të ndjeshme që nisi më 19 mars, kur nafta u shtrenjtua deri në 14 lekë për litër.
Lëvizjet në tregun vendas janë ndikuar drejtpërdrejt nga zhvillimet në bursat ndërkombëtare, ku çmimet e naftës dhe gazit u rritën ndjeshëm, duke arritur deri në 115-119 dollarë për fuçi, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike shtuan shqetësimet për mungesa në furnizim global.
Aktualisht, në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës “Brent Crude” ka arritur në rreth 109 dollarë për fuçi, nga 106 dollarë një ditë më parë, duke reflektuar një rritje prej rreth 1 për qind.