Ibrahimaj: Po monitorojmë çmimet e 80 produkteve për të shmangur abuzimet
Qeveria rrit kontrollin mbi çmimet e ushqimeve për të mbrojtur konsumatorët nga spekulimet në treg.
Institucionet kanë shtuar mbikëqyrjen e tregut duke vendosur nën monitorim rreth 80 produkte bazë ushqimore, në një përpjekje për të parandaluar abuzimet me çmimet në kushtet e tensioneve gjeopolitike dhe ndikimeve që ato po japin në tregjet ndërkombëtare. Masa vjen pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA, Izraelit dhe Iranit, që ka rritur pasiguritë në furnizime dhe kostot globale.
Në një konferencë për shtyp, Ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se lista e produkteve është hartuar në bashkëpunim me INSTAT dhe se monitorimi po kryhet në baza ditore nga Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut, me qëllim evidentimin e çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve.
“Sa i takon ushqimeve ne po i monitorojmë një shportë me 80 ushqime me bazë ditore dhe ka filluar të reflektohen në disa produkte të shportës çmime të rritura pikërisht për këtë arsye ne do të aktivizojmë disa grupe monitorimi nga ISHMT për të monitoruar realitetin e këtyre çmimeve. Ne kemi zgjedhur në bashkëpunim me INSTAT një numër ushqimesh dhe një numër të limituar të tregtarëve dhe do të shohim çmimet dhe furnizimet për të parë realitetin e tyre. Nëse do të marrim vendime në të ardhmen do të lidhen me çmimet e shportëz bazë. Në 2022 ne ngritëm një bord për ushqimet dhe është e vështirë që i njëjti mekanizëm si tek karburantet të bëhet tek ushqimet, sepse në karburante ka një bursë ndërsa produktet ushqimore kanë shumëllojshmëri burimesh importi. Megjithatë ne po monitorojmë për të garantuar që të mos ketë reflektime të pajustifikuara”, tha Ibrahimaj.
Monitorim edhe për çmimet e karburanteve
E pyetur për çmimet e karburanteve, ministrja theksoi se, megjithëse çmimet në bursat ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm, kjo nuk është reflektuar në të njëjtën masë në tregun vendas. Ajo shpjegoi se mekanizmi i përcaktimit të çmimeve bazohet në formulën e aktit normativ të vitit 2022, që merr në konsideratë çmimet e bursës së një dite më parë, kostot dhe marzhet e përcaktuara prej 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën.
“Çmimi i bursës është rritur me 99.7 për qind, por kjo nuk reflektohet drejtpërdrejt në të njëjtën masë në çmimet vendase. Me Bordin e Transparencës do të jemi në monitorim të vazhdueshëm për të garantuar transparencë dhe për të mos lejuar asnjë spekulim në kurriz të konsumatorit”, u shpreh Ibrahimaj.
Ekonomia në rritje pavarësisht sfidave
Ministrja u ndal edhe te ecuria ekonomike, duke theksuar se ekonomia shqiptare është rritur me 3.8 për qind gjatë vitit 2025, një normë mbi mesataren e Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit, çka sipas saj dëshmon qëndrueshmëri përballë presioneve të jashtme dhe krizave ndërkombëtare.