Secondary Adv

Energjia, Karakaçi me FIAA: Ankand i ri për të rinovueshmet në 2026, prioritet rrjeti i transmetimit

Qeveria synon të forcojë rrjetin energjetik dhe të hapë ankand të ri për të rinovueshmet në 2026.

Shqipëria po përgatitet të hapë një ankand të ri për energjinë e rinovueshme në tremujorin e tretë të vitit 2026, ndërsa politikat energjetike po orientohen gjithnjë e më shumë drejt forcimit të rrjetit të transmetimit dhe lidhjeve ndërkombëtare. Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, në një aktivitet me investitorët e huaj, theksoi se zhvillimet gjeopolitike e kanë bërë sektorin energjetik më të ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme.

 

“Tashmë është bërë rutinë përballja me kriza globale, sot sërish, për shkak të një lufte larg kufijve tanë, sektori energjetik vihet në një situatë stresuese dhe të vështirë”, u shpreh ai, duke theksuar nevojën për reagim të shpejtë dhe koordinim institucional për garantimin e sigurisë energjetike.

 

Diversifikimi dhe roli i energjisë diellore

Sipas ministrit, një nga shtyllat kryesore të transformimit energjetik mbetet diversifikimi i burimeve. Që nga viti 2019, Shqipëria ka ndërtuar një portofol më të balancuar, ku energjia diellore përbën rreth 10 për qind të prodhimit vendas, duke reduktuar varësinë nga hidrocentralet. Zhvillimi i sektorit është mbështetur gjithnjë e më shumë nga investimet private, që përfshijnë si projekte nga ankandet, ashtu edhe investime të pavarura.

 

Rrjeti i transmetimit në fokus

Ministri theksoi se zhvillimet në Europë kanë nxjerrë në pah rëndësinë e rrjetit të transmetimit si një element kyç për sigurinë energjetike. “Siguria energjetike nuk lidhet vetëm me prodhimin, por edhe me transmetimin. Nëse ndërtojmë kapacitete gjeneruese, duhet të ndërtojmë paralelisht edhe ato transmetuese”, tha ai.

 

Në këtë drejtim, Shqipëria po përshpejton projektet për ndërlidhjet rajonale, përfshirë lidhjen me Maqedoninë e Veriut, rritjen e kapaciteteve me Greqinë dhe projektin strategjik me Italinë, me synimin për të rritur fleksibilitetin dhe për të përmirësuar përdorimin e burimeve energjetike.

 

Objektivat dhe investimet strategjike

Një tjetër objektiv strategjik është që Shqipëria të kthehet në eksportues neto të energjisë deri në vitin 2030. Paralelisht, qeveria synon të rrisë eficiencën energjetike përmes krijimit të një fondi të dedikuar, ndërsa deri tani janë instaluar rreth 400 MW kapacitete vetëprodhuese nga bizneset dhe familjet.

 

Investimet do të shtrihen edhe në zhvillimin e kapitalit njerëzor, përmes krijimit të një Akademie të Energjisë me mbështetje ndërkombëtare, si dhe në projekte të mëdha publike që përfshijnë diga dhe teknologji të ruajtjes së energjisë si “pump storage”, për të rritur fleksibilitetin e sistemit.

 

Ankandi i ri për energjinë e rinovueshme në vitin 2026 pritet të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të tregut dhe rritjes së kapaciteteve, duke reflektuar një qasje më të integruar mes prodhimit dhe transmetimit të energjisë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat