Sektori i manifakturës në krizë, ProEksport Albania kërkon urgjent miratimin e paketës me 8 masa
Sektori fason paralajmëron veprime nëse nuk miratohet paketa mbështetëse përballë krizës së kursit të këmbimit.
Shoqata ProEksport Albania (PEA) ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka përsëritur kërkesën për miratimin urgjent të një pakete me 8 masa mbështetëse për sektorin e manifakturës, veçanërisht fasonin. Kryetari i saj, Edvin Prençe, deklaroi se sektori po përballet me një krizë të paprecedentë në 30 vitet e fundit, e shkaktuar nga efektet e kursit të këmbimit dhe mungesa e mbështetjes konkrete nga ana e qeverisë.
“Sot nuk jemi këtu për të përsëritur problemet, ato tashmë janë të njohura. Sot jemi këtu për të përcaktuar një qëndrim. Ky sektor përfaqëson dhjetëra mijëra vende pune në vend. Çdo dobësim i tij nuk është vetëm problem biznesi, është problem social dhe ekonomik. Sektori po përballet me një krizë të paprecedentë në këto 30 vite, e shkaktuar nga efektet e kursit të këmbimit, pa asnjë mbështetje konkrete nga ana e qeverisë”, u shpreh Prençe.
Thirrje për reagim dhe paralajmërim për veprime
Sipas tij, pavarësisht se situata është paraqitur edhe në Komisionin e Ekonomisë, mungon reagimi institucional. Ai theksoi se sektori tashmë ka kaluar nga apelimi në një qëndrim të qartë dhe të koordinuar. “Kjo asamble shënon një vijë ndarëse. Nuk është më një çështje individuale e bizneseve të veçanta, por një çështje e përbashkët e gjithë sektorit. Mungesa e reagimit nuk mund të jetë më një opsion i pranueshëm. Ky nuk është më një apel, është një pozicion”, deklaroi ai.
Prençe paralajmëroi se në mungesë të reagimit nga qeveria, sektori do të ndërmarrë veprime konkrete në mbrojtje të interesave të tij. “Ne nuk kërkojmë përplasje, por nuk do të pranojmë më as heshtje. Nëse nuk ka reagim, do të ketë reagim nga sektori”, u shpreh ai.
Kërkesat për paketën mbështetëse
Paketa e masave e propozuar nga PEA i është dërguar deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe synon lehtësimin e kostove dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit. Ajo përfshin rritjen e tavanit të tatimit mbi të ardhurat personale në bazë të pagës minimale, rimbursimin e kontributeve për punonjësit për një periudhë 9-mujore, si dhe krijimin e një mekanizmi fiskal kompensues për eksportet.
Gjithashtu, kërkohet rikthimi dhe dyfishimi i fondeve të AIDA për teknologji dhe inovacion, si dhe rritja e koeficientit të amortizimit për pajisje dhe makineri prodhimi, në mënyrë që të nxitet investimi dhe modernizimi i industrisë.