Secondary Adv

Rreth 522 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësi në një nga vendet e BE dekadën e fundit

Rritet ndjeshëm marrja e shtetësive në BE, duke reflektuar valën e emigracionit nga Shqipëria.

Rritje e fortë e shtetësive në BE

Emigrantët shqiptarë vijojnë të integrohen në vendet e Bashkimit Europian, duke marrë shtetësi dhe të drejta të plota qytetarie. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024 rreth 48.2 mijë shtetas shqiptarë fituan shtetësi në një nga vendet e BE-së, në rritje me 8.1 për qind krahasuar me vitin 2023.

 

Në tre vitet e fundit, mesatarisht 44-45 mijë shqiptarë në vit kanë marrë shtetësi europiane, duke shënuar ritmet më të larta që nga viti 2018 dhe duke reflektuar një valë të re emigracioni nga vendi.

 

522 mijë shtetësi në një dekadë

Në dekadën e fundit, rreth 522 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësi në vendet e Bashkimit Europian, ndërsa që nga viti 2010 kjo shifër arrin në rreth 632 mijë. Nivelet më të larta janë regjistruar në vitet 2015 dhe 2016, kur numri i shtetësive të dhëna arrinte në 60-67 mijë në vit.

 

Kjo shifër përkon me tkurrjen e popullsisë në Shqipëri, e cila gjatë periudhës mes dy censuseve 2011-2023 u ul me rreth 420 mijë persona, kryesisht si rezultat i emigracionit dhe rënies së lindshmërisë.

 

Italia dhe Greqia në krye

Italia mbetet vendi kryesor ku shqiptarët marrin shtetësi, me rreth 375 mijë të tilla që nga viti 2008. Ndërkohë, Greqia, edhe pse ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë, ka dhënë më pak shtetësi, rreth 264 mijë që nga viti 2007.

 

Gjermania dhe vendet e tjera

Gjermania po shfaq gjithnjë e më shumë hapje, me rritje të ndjeshme të shtetësive të dhëna. Në vitin 2024, ky shtet dha rreth 310 shtetësi për shqiptarët, një nivel rekord, ndërsa në periudhën 2002-2023 ishin dhënë gjithsej rreth 8100 shtetësi. Procesi në Gjermani mbetet më i rreptë, duke kërkuar njohuri të gjuhës, të ardhura të qëndrueshme dhe integrim social.

 

Pas Gjermanisë renditen vende të tjera si Belgjika me rreth 8.7 mijë shtetësi, Franca me 6480, Suedia me 4,219, Irlanda me 1,197, Spanja me 1,157 dhe Holanda me 1,137 shtetësi të dhëna për shqiptarët.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat