Secondary Adv

Transformim urban në Vlorë, FSHZH tender 595 mln lekë për parkim dhe hapësira rekreative

FSHZH hap tenderin për një investim 595 milionë lekë që ndërthur parkimin me hapësira rekreative.

Investimi i ri në zonën e Lungomares

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur hapjen e tenderit për ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit dhe një godine parkimi nëntokësor në Vlorë, me një fond limit prej 595 milionë e 232 mijë lekësh. Projekti është hartuar mbi kërkesën e Bashkisë Vlorë dhe synon të kombinojë funksionin urban me atë social dhe mjedisor.

 

Objekti do të ndërtohet në pjesën perëndimore të qytetit, pranë zonës së plazhit dhe përgjatë rrugës “Çamëria”, në hyrje të Lungomares, një nga zonat më të frekuentuara nga banorët dhe turistët. Parcela ndodhet rreth 1.9 kilometra nga qendra e qytetit dhe përfshihet në pellgun ujëmbledhës të zonës.

 

Parkim nëntokësor dhe hapësira moderne

Projekti parashikon ndërtimin e një parkimi nëntokësor me një kat, i dedikuar për poste parkimi dhe ambiente teknike. Sipërfaqja totale e parcelës është 9557.76 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja e ndërtimit në katin -1 arrin në 9235.98 metra katrorë.

 

Në total do të krijohen 295 vende parkimi, përfshirë 5 vende të dedikuara për persona me aftësi të kufizuara dhe hapësira për automjete elektrike, duke reflektuar standarde moderne të infrastrukturës urbane.

 

Hapësirë rekreative për qytetarët

Përveç parkimit, projekti parashikon krijimin e një hapësire rekreative të hapur në sipërfaqe, e cila do të jetë e aksesueshme për qytetarët. Në skajin perëndimor të parcelës do të ndërtohet një strukturë strehe që do të përfshijë hapësira mbështetëse dhe parkim për biçikleta.

 

Kjo ndërhyrje synon të ruajë funksionin ekzistues të zonës si një shesh publik, duke e bërë atë të përshtatshëm për aktivitete rekreative dhe evente të ndryshme, ndërkohë që përmirëson ndjeshëm infrastrukturën urbane.

 

Rritje e cilësisë së jetesës

Investimi pritet të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët dhe të krijojë një hapësirë moderne, funksionale dhe të integruar për komunitetin dhe vizitorët e qytetit të Vlorës.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat