Secondary Adv

Malaj: Kur nafta të kalojë 220 lekë/litër, Bordi i Transparencës do ulë me 8 lekë akcizën

Malaj: Kur çmimi kalon 220 lekë/litër, Bordi do të aplikojë ulje automatike të akcizës.

Skema e uljes së akcizës

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se në momentin që çmimi i naftës kalon pragun prej 220 lekësh për litër, Bordi i Transparencës do të aplikojë një ulje të akcizës prej 8 lekësh. Sipas tij, kjo skemë synon të lehtësojë barrën për qytetarët dhe bizneset në rast të rritjes së çmimeve të karburanteve.

 

Malaj sqaroi se nëse Bordi vendos një çmim tregtimi me pakicë prej 221 lekësh, atëherë do të zbatohet automatikisht ulja e akcizës, duke e çuar çmimin final në 213 lekë për litër. Ky mekanizëm do të funksionojë në baza ditore dhe do të aplikohet vetëm kur çmimi kalon kufirin e përcaktuar, ndërsa kur ai bie nën 220 lekë, çmimi do të mbetet ai i vendosur nga Bordi.

 

Kontroll dhe gjurmim i karburanteve

Ministri theksoi se paralelisht me këtë masë, do të vijojë edhe procesi i markimit të karburanteve përmes kompanisë shtetërore, me qëllim garantimin e cilësisë dhe standardeve sipas kërkesave evropiane.

 

Po ashtu, karburantet që kalojnë tranzit në territorin shqiptar do të monitorohen përmes pullave digjitale të vendosura në autobote, të cilat do të ndiqen në kohë reale nga hyrja në territor deri në daljen e tyre. Pas përfundimit të tranzitit, këto elemente sigurie do të hiqen dhe ngarkesa do të vijojë drejt destinacionit final.

 

Masë për stabilizimin e tregut

Skema e re synon të krijojë një mekanizëm fleksibël për stabilizimin e çmimeve të karburanteve në tregun vendas, në një kohë kur luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë vijojnë të mbeten të larta.

 

Burimi: Ora News


Më të lexuarat