Kredia për ekonominë u rrit në shkurt, por bilanci dy mujor mbetet në rënie të lehtë.
Kreditimi i ekonomisë në Shqipëri iu kthye rritjes gjatë muajit shkurt, pas një fillimi të dobët të vitit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar dha 30.3 miliardë lekë kredi të reja gjatë këtij muaji, një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, për shkak të performancës së dobët në janar, bilanci i dy muajve të parë të vitit mbetet në rënie. Në periudhën janar-shkurt 2026, kredia e re për ekonominë arriti në 58.6 miliardë lekë, rreth 3.3 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Individët dhe ndërmarrjet publike në rënie
Rënia në fillim të vitit është ndikuar kryesisht nga segmenti i individëve dhe ndërmarrjeve publike. Kredia për individët arriti në 18.3 miliardë lekë gjatë janar-shkurtit, duke shënuar një rënie prej 9 për qind në krahasim me një vit më parë, pas një viti 2025 me nivele rekord të huamarrjes.
Në mesin e vitit 2025 hynë në fuqi edhe masa kufizuesenga Banka e Shqipërisë për kreditimin e banesave, të cilat synonin shtrëngimin e standardeve të huadhënies. Ndërsa gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar këto masa nuk patën ndikim të ndjeshëm, në muajt e parë të këtij viti vihet re një ngadalësim i lehtë, megjithëse mbetet për t’u parë nëse kjo është një tendencë e qëndrueshme.
Edhe kredia për ndërmarrjet publike pësoi rënie të fortë, duke zbritur në vetëm 300 milionë lekë, rreth 10 herë më pak se një vit më parë, ndërsa ky segment zakonisht ndikohet nga huamarrjet sporadike të kompanive të veçanta, kryesisht në sektorin energjetik.
Bizneset private mbajnë ritmet e rritjes
Në të kundërt, kredia për ndërmarrjet private ka vijuar rritjen, me 40 miliardë lekë kredi të reja gjatë dy muajve të parë të vitit, ose 7.3 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë, duke mbështetur aktivitetin ekonomik.
Gjatë muajit shkurt, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë, i shprehur si tepricë e pashlyer, u rikthye në rritje dhe arriti në 946.9 miliardë lekë, me një shtesë prej më shumë se 7.5 miliardë lekësh krahasuar me janarin. Në bazë vjetore, kredia për ekonominë vijon të rritet me ritme dyshifrore prej 11.6 për qind.
Rreziqet nga inflacioni dhe tregjet
Rritja më e lartë e portofolit vazhdon të regjistrohet në segmentin e individëve, me një rritje vjetore prej 17.7 për qind, ndërsa për ndërmarrjet private kredia është rritur me 8.7 për qind. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se tensionet gjeopolitike dhe rreziku i një vale të re inflacioniste mund të sjellin sfida për kreditimin në vijim.
Një rritje e inflacionit mund të çojë në rritje të normave të interesit, duke ndikuar negativisht në aftësinë paguese të huamarrësve dhe duke krijuar kushte për frenim të mëtejshëm të kredidhënies dhe përkeqësim të cilësisë së portofolit ekzistues.