Secondary Adv

31 Marsi, afati i fundit për dorëzimin e DIVA: Nuk ka shtyrje afati, ja sa gjobë rrezikoni

31 marsi është afati përfundimtar për dorëzimin e DIVA, ndërsa vonesat penalizohen me gjobë.

31 marsi është afati i fundit për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA), ndërsa administrata tatimore ka bërë të qartë se nuk do të ketë shtyrje të këtij afati ligjor. Sipas sqarimeve zyrtare, çdo tatimpagues që nuk e dorëzon deklaratën brenda afatit do të penalizohet me një gjobë vjetore prej 3 mijë lekësh.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, bëri të ditur se deri më 30 mars rreth 130 mijë tatimpagues kanë plotësuar deklaratën, ndërsa pritet që numri total i deklaruesve të arrijë në rreth 180 mijë. Për herë të parë këtë vit, afati i deklarimit është unifikuar për të gjitha deklaratat tatimore vjetore në datën 31 mars 2026.

 

Kush ka detyrim për dorëzimin e DIVA

Detyrimin për plotësimin e DIVA e kanë individët që gjatë vitit 2025 kanë siguruar të ardhura nga punësimi mbi 1.2 milionë lekë në vit, si dhe ata që kanë gjeneruar të ardhura të patatuara mbi 50 mijë lekë, përfshirë të ardhurat nga qiratë përmes platformave si Booking apo Airbnb, si dhe nga aktivitetet në rrjetet sociale. Gjithashtu, deklarimi është i detyrueshëm edhe për personat e dypunësuar, pavarësisht nivelit të të ardhurave.

 

Të ardhurat e deklaruara tatohen me normën 15 për qind, ndërsa administrata tatimore paralajmëron se pas përfundimit të afatit do të kryhen kontrolle për të verifikuar saktësinë e deklarimeve.

 

Risitë dhe përfitimet për këtë vit

Një nga risitë kryesore për këtë vit është njohja e shpenzimeve për arsimin e fëmijëve deri në 100 mijë lekë në vit dhe zbritja për fëmijët në ngarkim në masën 48 mijë lekë për çdo fëmijë. Për të përfituar nga këto lehtësi, deklarata mund të plotësohet edhe nga individët që nuk e kanë detyrim ligjor, nëse të ardhurat e tyre janë nën kufirin 1.2 milionë lekë në vit.

 

Përfitimi nga kompensimi realizohet përmes rillogaritjes së tatimit, në rastet kur pas zbritjes së shpenzimeve rezulton se tatimi është paguar më shumë se sa duhet. Të drejtën për rimbursim e kanë vetëm individët që kanë paguar tatim gjatë vitit 2025.

 

Aplikimi për kompensim dhe kontrollet

Aplikimet për kompensim apo rimbursim kryhen përmes platformës e-Tax dhe afati për paraqitjen e tyre është deri në 5 vite. Administrata tatimore ka një afat deri në 2 muaj për shqyrtimin e kërkesës dhe dhënien e kompensimit.

 

Ndërkohë, tatimet kanë bërë të ditur se pas përfundimit të deklarimeve do të intensifikohen kontrollet për tatimpaguesit që nuk kanë deklaruar korrektësisht të ardhurat, duke synuar rritjen e formalizimit dhe respektimin e detyrimeve ligjore.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat