Secondary Adv

Subvencione deri në 2.5 miliardë lekë për bujqësinë, qeveria miraton kriteret

Qeveria rrit financimet për blegtorinë dhe të rinjtë, por heq naftën pa taksa nga skema.

Skema Kombëtare për bujqësinë për vitin 2026 sjell ndryshime të rëndësishme në mbështetjen e fermerëve, duke ulur kriteret për përfitim dhe duke rritur financimet për disa sektorë, veçanërisht për blegtorinë. Për lopët, kufiri minimal për përfitim zbret nga 10 në 5 krerë, ndërsa pagesa rritet në 12 mijë lekë për kokë, duke synuar të përfshijë më shumë fermerë në skemë.

 

Ndryshime të ngjashme janë bërë edhe për delet dhe dhitë, ku përgjysmohet numri minimal i krerëve dhe rritet financimi në 1,500 lekë për kokë. Për bletarinë, përfitimi arrin në 2,000 lekë për zgjua, ndërsa kërkesat për numrin minimal të koshereve janë lehtësuar. Për herë të parë, skema përfshin edhe mbështetje për dosat, me një pagesë deri në 7,000 lekë për krerë për tufat me të paktën 5 krerë.

 

Hiqet nafta pa taksa për fermerët

Një nga ndryshimet më të ndjeshme në skemën e re është heqja e mbështetjes për naftën pa taksa, e cila prej vitit 2021 kishte qenë një element i rëndësishëm për uljen e kostove të prodhimit. Ky vendim vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve janë të larta, duke shtuar presionin mbi sektorin bujqësor. Nuk është ende e qartë nëse do të ketë masa alternative për kompensimin e kësaj mbështetjeje.

 

Fokus te teknologjia dhe praktikat moderne

Skema e re rrit mbështetjen për praktikat moderne në bujqësi, duke financuar deri në 70% të kostove për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera, me një kufi maksimal prej 40 mijë lekësh për dynym. Ky ndryshim synon të nxisë përdorimin e metodave më të qëndrueshme dhe të reduktojë varësinë nga pesticidet.

 

Gjithashtu, mbështetja për fermat organike dhe certifikimet bujqësore vijon të jetë pjesë e skemës, duke synuar rritjen e cilësisë dhe konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare.

 

Mbështetje për të rinjtë dhe investimet

Një risi tjetër është mbështetja për fermerët e rinj, të cilët mund të përfitojnë deri në 70% të vlerës së investimeve, me një kufi maksimal prej 1 milion lekësh. Për investimet në sektor, përfshirë mekanizimin, ndërtimin e staneve dhe përmirësimin e kushteve në ferma, janë parashikuar fonde të konsiderueshme.

 

Fondi total për bujqësinë në vitin 2026 arrin në 5.2 miliardë lekë, ndërsa një pjesë e rëndësishme prej 2.5 miliardë lekësh është dedikuar për mbështetjen e investimeve, me synimin për të rritur produktivitetin dhe modernizimin e sektorit.

 

Qëllimi i skemës

Skema synon të rrisë konkurrueshmërinë e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, të ulë kostot për fermerët dhe të mbështesë zhvillimin e sektorëve si agropërpunimi, akuakultura dhe agroturizmi. Përfitues janë fermerët individualë, bizneset bujqësore dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, ndërsa zbatimi do të kryhet nga institucionet përkatëse shtetërore.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat